Kuvendi i Kosovës

Kosova & Rajoni

Kosova vazhdon në ‘ngërç’ politik, zgjedhja e nënkryetarit serb mban peng konstituimin e Kuvendit! Shtyhet seanca

28 Gusht, 12:12| Përditesimi: 28 Gusht, 15:11

  • Share

Në Kosovë seanca e konstituimit të Kuvendit u shty sërish, pas ende nuk po gjendet dakordësia për emrin e nënkryetarit të fundit, i cili do të jetë nga radhët e komunitetit serb.

5 kandidatë nuk arritën të marrin asnjë votë, nga 3 votime për secilin. I vetmi që mori 56 vota ishte deputeti serb Nenad Rashiq, i cili gjithsesi nuk arriti të merret numrin e duhur. Emri i tij do të hidhet sërish për votim, ndërsa ky proces u shoqërua nga akuza nga vetë  deputetët serbë.

Kandidati Igor Simiç, publikoi në rrjetet sociale një video nga seanca e Kuvendit dhe tha se “po vazhdon votimi në kundërshtim me rregullat, për ta futur të preferuarin e Kurtit, Nenad Rashiç si nënkryetar të Kuvendit". Ndërsa, pas përfundimit të seancës Simiç tha se Lista Serbe do të paraqesë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Në një deklaratë për mediat, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i kritikoi partitë opozitare , PDK, LDK dhe AAK e Nisma, për mosvotimin e Rashiçit si nënkryetar. 

“Nuk e kuptojmë cili është qëllimi i deputetëve të opozitës, ku një pjesë abstenon, siç janë deputetët e PDK-së dhe AAK dhe NISMA, ndërsa ata të LDK nuk merr pjesë në votim”, tha Murati për gazetarë.

Ai tha se dëshiron t’i pyesë ata se, “nëse jo Nenad Rashiç, kush nga pakica serbe duhet të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, sipas tyre”.

“Besoj këtë pyetje duhet t’ua bëjmë atyre vazhdimisht deri në seancën e ardhshme”, shtoi ai.

Kryetari i partisë së dytë më të madhe në Kuvendin e Kosovës, PDK, Memli Krasniqi, e ka akuzuar partinë Lëvizja Vetëvendosje, se “dëshiron” ta vazhdojë ngërçin politik. Krasniqi shpjegoi se deputetët e partisë së tij po abstenojnë nga votimi për Rashiçin, “sepse mënyra e votimit është jokushtetuese”.

“Ajo çfarë e ka karakterizuar sjelljen e Vetëvendosjes nga 15 prilli është veprimi jokushtetues dhe këtë e ka dëshmuar dy herë Gjykata Kushtetuese”, tha Krasniqi.

Sipas tij, ndikimi politik dhe real i ngërçit është “fakti që po vazhdon bllokada e nuk po konstituohet Kuvendi dhe rrjedhimisht nuk po arrijmë ta fusim në afate kushtetuese Albin Kurtin për ta dëshmuar atë që e kemi thënë gjithë: ai nuk i ka votat për ta formuar qeverinë”.

Lista Serbe ka 9 deputetë dhe as ata vetë nuk votuan pasi duan që kandidat i tyre të jetë Sllavko Simiç, por emri i tij është hedhur 3 herë në votim dhe nuk ka marrë votat e nevojshme. Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, emri i një kandidati mund të hidhet në votim vetëm 3 herë. Konstituimi i Kuvendit do t'i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?