Ditën e sotme deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të miratojnë një rezolutë për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë.
Për rezolutën e propozuar nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës votuan 24 deputetë pro dhe 57 abstenuan. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që abstenuan për miratimin e kësaj rezolute.
Në rezolutë partia opozitare LDK ftonte qeverinë e Kosovës të zbatonte këtë marrëveshje dhe të përgatiste një plan-veprim që do t’i dorëzohej kuvendit. Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar që presin nga Kosova dhe Serbia t'iu përmbahen detyrimeve të ndërmarra nga Marrëveshja e Uashingtonit.
Marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin e raporteve ekonomike ndër të tjera, parashikon angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore, për të lidhur kryeqytetet e tyre në mënyrë që të përmirësojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, zhvillime këto që mund të tërheqin investime perëndimore.
Sipas marrëveshjes, Kosova zotohet të bëhet pjesë e nismës së "mini-Shengenit" apo "Ballkanit të Hapur" marrëveshje e cila parashikon lëvizjen pa pasaporta dhe detyrime tarifore në vendet e Ballkanit dhe pjesë e së cilës janë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Por kundër pjesëmarrjes së Kosovës është shprehur që nga fillimi kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Marrëveshja e Uashingtonit u nënshkrua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në prani të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.