Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar të enjten propozim-rezolutat për mbështetjen urgjente financiare për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe atë për nevojën e rritjes së koeficientit për pagat.
Rezolutat janë shprehje e vullnetit politik të Kuvendit për çështje të caktuara, por të cilat nuk kanë karakter obligues. Projekt-rezoluta për policët Për miratim të saj kanë votuar 25 deputetë, ndërsa 59 kanë abstenuar.
Propozim-rezoluta është prezantuar në Kuvend javë më parë prej partive opozitare. Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, i ka prezantuar shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Qeveria e ka ndarë shumën e shtesave në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve në Policinë e Kosovës.
Si përgjigje, Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, kanë protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës duke kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rishikimin e vendimit për shtesat.
Ata kanë kërkuar kategorizim si njësi të veçanta, përfshirje në listën e ekspertëve, që rrezikshmëria të caktohet në 50 për qind të pagës bazë, si dhe shtesa për kushte specifike të punës.
Pagat e policëve të Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë dhe arrijnë në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.
E formuar 24 vjet më parë, Policia e Kosovës numëron mbi 9.000 pjesëtarë me grada të ndryshme. Ata nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor.
Projekt-rezolutën për ngritje të koeficientit të pagave në 129 euro, e pati prezantuar partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Për miratim të rezolutës kanë votuar 28 deputetë, 52 kanë qenë kundër dhe katër kanë abstenuar.
Buxheti i shtetit të Kosovës për këtë vit është 3.2 miliardë euro, ndërsa projektbuxheti për vitin 2024 parasheh fond prej 3.3 milionë eurosh. Koeficienti për këtë vit është 105 euro, ndërsa në projektbuxhet është përmendur rritje prej 5 eurosh për vitin e ardhshëm./ REL