Kosova & Rajoni

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nuk bie dakord për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, pavarësisht se Zaev dhe Mickovski ranë dakord

1 Prill 2021, 10:13| Përditesimi: 1 Prill 2021, 10:17

  • Share

Seanca e parashikuar për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë nuk është arritur të mbahet në kuvendin e Maqedonisë së Veriut pavarësisht se dy liderët kryesorë në vend Zoran Zaev dhe Hristijan Mickovski kishin rënë dakord.  Të dy liderët u shprehën se kishin rënë dakord për një masë të tillë për shkak të pandemisë.

“Përkundër këmbënguljes sime gjatë ditës së mërkurë për harmonizimin e qëndrimeve të të gjitha partive politike, për arritjen e marrëveshjes dhe mbajtjen e dy seancave, në të cilat do të votoheshin propozim-ligji për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në vitin 2021 dhe propozim-ligji për vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës, që skadon sonte [e mërkurë] në ora 24:00, nuk u arrit marrëveshje”, thuhet në njoftimin e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Në mbledhjen me drejtuesit e grupeve parlamentare, të gjitha partitë, përveç Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, kanë shprehur gatishmëri për mbajtjen e seancës.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, që janë në opozitë, të martën kanë deklaruar se do të bllokojnë miratimin e ligjit për shtyrjen e regjistrimit. Mosmiratimi i ligjit, ka lënë pezull regjistrimin e popullsisë që duhet të nisë sot, më 1 prill.

Por, ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiç, ka thënë të mërkurën se regjistrimi, sipas ligjit aktual, duhet të fillojë më 1 prill. Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut ka nisur më 1 mars me regjistrimin e diasporës. Procesi ka mobilizuar partitë shqiptare që t'i bëjnë thirrje diasporës që të përfshihet në regjistrim, për të rritur edhe më shumë numrin e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është mbajtur në vitin 2002. Në bazë të tij, shqiptarët përbejnë 25.17 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës.

Maqedonia e Veriut ka bërë një përpjekje për regjistrim të popullsisë në vitin 2011, por ky proces është ndërprerë disa ditë para përfundimit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?