Një prej kritikuesve më të ashpër të Lulzim Bashës në PD, ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Arben Ristani, e cilëson Kuvendin e djeshëm të PD-së si një fshehja nga e vërteta të lidershipit demokrat. Ristani shkruan në Facebook se drejtuesit e PD-së analizuan vjedhjen e kundërshtarit dhe jo veten duke fshehur të vërtetën.
"Drejtuesit e PD zhvilluan dje "Kuvendin", për të analizuar vjedhjen e kundërshtarit, duke mos gjetur forcën, kurajën dhe përgjegjshmërinë, për të analizuar veten. Fshehja nga e vërteta me metodën e Strucit, nuk do i çojë larg. Vendi ka nevoje ulëritëse për opozite të vërtete dhe alternative te besueshme", ka shkruar Ristani.
7 orët e Kuvendit Kombëtar të PD-së ditën e djeshme u karakterizuan nga një mesazh: Qveria vodhi zgjedhjet e 25 prillit. Edhe pse humbi më 25 prill, kreu i PD-së në fjalën e tij dje në Kuvendin Kombëtar e cilëson si sukses mënyrën se si PD doli para shqiptarëve zgjedhjet e kaluara, sidomos në drejtim të programit.
Ai përsëriti edhe një herë se 25 prilli ishte një masakër zgjedhore, ku paratë e drogës dhe të krimit u përdorën për të blerë vota.
Basha tha se 25 prilli nuk ka lidhje me demokracinë, por me gjithë këtë masakër zgjedhore, PD doli me kokën lart. Më tej kreu i PD-së shtoi se ato nuk përdorën mjetet dhe modelin e Edi Ramës, duke mos hequr dorë sipas tij nga mjetet e ndershme.
Kujtojmë se Ristani ishte mes 600 emrave në garë për një vend në Këshillin e ri Kombëtar. Rezultatet e votimit pritet që të zyrtarizohen ditën e sotme.
Komente
