Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Opinion

Kuvendi i PD-së dhe Kuvendi i PB-së

30 Nëntor 2021, 19:15| Përditesimi: 30 Nëntor 2021, 19:18

  • Share

Ekzistojnë dy pseudo-debate në gjirin e PDsë sot. I pari ka të bëjë me vërtetësinë dhe procedurën e dorëzimit të firmave për thirrjen e Kuvendit, që së fundi filluan të verifikoheshin nga deputeti Agron Shehaj. Debati i dytë është mbi datën e Kuvendit Kombëtar të PD-së, 11 apo 18 dhjetor 2021. Të dyja janë debate bosh pasi që në momentin që kryesia dhe kryetari i PD-së shpallën 18 dhjetorin si datë për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së, vërtetësia e firmave të delegatëve dhe data 11 dhjetor nuk kanë më rëndësi.

Debati mbi vërtetësinë e firmave apo procedurën e dorëzimit do kish rëndësi vetëm nëse firmëtarët kërkonin mbledhjen e Kuvendit, ndërsa kryetari dhe kryesia e refuzonin atë, siç deklaruan fillimisht. Ama, kur të dyja palët janë dakord që Kuvendi duhet të mblidhet verifikimi i firmave apo debati mbi procedurën e dorëzimit nuk ka më kuptim.

Për të njëjtën arsye, debati mes datës 11 dhe 18 dhjetor është pa sens. Vullneti i firmëtarëve shprehet në parim për mbledhjen e Kuvendit, jo për mbledhjen e tij më datë 11 dhjetor në ora 14:00 te Pallati i Kongreseve. Asnjë nismë që vjen nga baza, si brenda edhe jashtë një partie politike, nuk mund të përcaktojë datën specifike të mbledhjes së forumit apo të bërjes së referendumit.

Imagjinoni për një moment sikur organizatorët e nismës qytetare për Referendumin Kundër Importit të Mbetjeve në vitin 2013 të kërkonin firmën e qytetarëve jo vetëm për mbajtjen e referendumit në parim, por edhe për organizmin e tij të shtunën në ora 14:30 te rruga “Myslym Shyri”. Ky është një absurditet që juristët e doktorit e kuptojnë mirë.

Me status dhe me logjikë të thjeshtë, tagrin për shpalljen e datës dhe vendit se ku do mblidhet Kuvendi e ka kryetari dhe kryesia e PD-së shumë më tepër se Sali Berisha. Pra, midis deklaratës personale të Berishës se Kuvendi do mblidhet më datë 11 dhjetor dhe vendimit të Kryesisë së PD-së se data e Kuvendit është 18 dhjetori, legjitime është kjo e dyta.

Vendimi i kryesisë dhe kryetarit të PD-së për mbledhjen e Kuvendit më datë 18 dhjetor jo vetëm nuk bie ndesh me vullnetin e firmëtarëve, por e materializon atë. Mjafton të kujtojmë se as Basha dhe as kryesia e tij nuk donin që Kuvendi të mblidhej. Vendimi që ata morën ishte pasojë e presionit që erdhi nga nisma e foltores Berisha. Përndryshe ata kurrë nuk do ta kishin mbledhur Kuvendin

Atëherë, si shpjegohet që Berisha dhe mbështetësit e tij, në vend që ta përshëndesnin mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së dhe të paraqisnin aty amendimet e tyre statusore, përfshirë edhe kërkesën për shkarkim të Bashës, e pritën këtë vendim si pabesinë e radhës? Ndoshta kemi të bëjmë thjesht me mungesë logjike dhe me inercinë e denoncimit të Bashës si tradhtar. Berishizmi prej kohësh e ka shpallur logjikën non grata.

Në fakt, arsyeja e vërtetë e debatit absurd është se Berisha nuk do të mbledhë një Kuvend të PD-së, por një Kuvend të Saliut. Synimi i tij është të mbledhë rreth vetes vetëm Berishistët dhe anti-Lulistët, jo ata që mendojnë ndryshe nga ai. Siç ka bërë gjithmonë me PD-në.

Data 11 dhjetor është sita që ndan shapin anti-berishist nga sheqeri berishist. Dhe është një sitë e imët që garanton që mos ta kalojë askush me një minimum logjike dhe me sens kritik ndaj doktorit. Të pranosh datën 11 dhjetor si datën legjitime të mbledhjes së kuvendit do të thotë të pranosh se Berisha është mbi kryetarin, kryesinë dhe statutin aktual të PD-së. Do të thotë të pranosh që Basha nuk është kryetar i PD-së, sepse kështu e deklaron Berisha. Ama, kur pjesëmarrja i thotë të gjitha nuk mbetet asgjë për t’u diskutuar dhe për pasojë nuk mund të zhvillosh kuvend.

Fakti që e vetmja pikëpyetje e datës 11 dhjetor është pjesëmarrja dhe jo përmbajtja e takimit mjafton për të treguar se kemi të bëjmë me miting të Saliut dhe jo me Kuvend të PDsë. Ndaj në këtë datë kemi themelimin e Partisë së Berishës (PB-së), edhe sikur aty të shkojnë 100% e delegatëve.

Më 11 dhjetor 1990, Partia Demokratike u ngrit mbi dy premisa themelore: rrëzimin e diktaturës së korruptuar komuniste të liderit të përjetshëm Enver Hoxha dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë. Sot, 31 vite më vonë, PB-ja lind duke deklaruar Sali Berishën, liderin e saj të përjetshëm, dhe në konflikt të hapur me SHBA-të që e kanë refuzuar themeluesin e saj për korrupsion dhe si pengesë të demokracisë.

Ndaj, ajo që do të lindë më 11 dhjetor nuk do të jetë PD-ja, por e kundërta e idealeve që frymëzuan krijimin e saj 30 vite më parë. Ndryshe nga PD-ja, Partia e Berishës (PB) do gëzojë fatin politik dhe jetëgjatësinë që i ka mbetur themeluesit të saj. Ajo kurrë nuk do të jetë e aftë ta mundë PS-në dhe Edi Ramën në zgjedhje, jo sepse nuk e duan SHBA-të, por sepse elektorati shqiptar prej vitesh e ka shpallur Berishën persona non grata.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • O tej: 30/11/2021 23:12

    Berishes ja ka ba m..in populli me kohe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?