TIRANË- Rrëzimi i propozimeve për paketën fiskale të propozuar prej tij nuk është kaluar në heshtje nga ish zv-kryeministri Erion Braçe, i cili me anë të një reagimi të fundit në rrjete sociale nuk i kursen ironitë për socialistët të cilët nuk e mbështetën amendamentin.
Amendamenti i Braçes për bujqësinë mori vetëm 8 vota pro, i cili e cilëson si “një hap të madh”, duke e krahasuar me propozimin e tij për tatimin zero për rrogat deri në 40 mijë lekë, që sipas tij në vitin 2018 mori 5 vota, ndërsa sot pritet që kjo të bëhet realitet nga qeveria.
Më tej, Braçe, i vetmi zë opozitar brenda mazhorancës, ka renditur disa nga propozimet e tij të cilat fillimisht nuk kanë marrë mbështetje.
“Po hap i madh përpara ama; Në nëntor 2018-të, kur propozova tatim zero për rrogat deri në 40 mijë lekë, mora vetëm 5 vota pro; Këtë nëntor, qeveria erdhi tek propozimi im, 3 vite me vonesë dhe me 46. 800 lekë barrë fiskale mbi cdo shqiptar me rrogë 40 mijë lekë; llogaria është edhe me tre zero të tjera për rrogat nga 30 mijë deri në 40 mijë lekë. Në nëntor 2018-të, kur kundërshtova skemën 6 me 20 për TVSH e fermerit mora vetëm 5 vota pro; Këtë nëntor, paratë e munguara tek gjithë zinxhiri nga bujku prodhues tek grumbulluesi, përpunuesi, në tregun e brendshëm, arritën në 4.5 miliard lekë; Ndërkohë pasoja në blegtori, numër lopësh për qumësht, delesh e dhish për qumësht, është katastrofike”, shkruan Brace në Facebook.
“A mban përgjegjësi kush?” - shtron ai pyetjen deputeti. Duke thënë se nuk ndihet keq për votat minimale që mori në Kuvend, Braçe shton se ajo që e bën të ndihet keq është se propozimet e tij të majta nuk votohen.
“Udhëheqësve ju duhet kohë të vijnë tek ajo që është e vërtetë dhe e drejtë. E dyta, unë nuk ndjehem keq për 8 votat; unë ndjehem keq kur propozimet e majta nuk votohen; unë ndjehem keq kur propozime në favor të shumicës nuk votohen; Mbi të gjitha, unë ndjehem keq kur një ligj klientelist, teresisht personal e vetëm për një kompani, si dëm për njërën e si favor për tjetrën, votohet me shumicë, sic sot. Ky është problem i madh! Personalizimi i politikës fiskale është gjëja më e rëndë që i ndodh tregut, ekonomisë”, komenton Brace.
Sjellim ndër mend se amendamentet e Braçes të dorëzuara me disa ndryshime në paketën fiskale morën vetëm 8 vota pro e ndërsa mazhoranca ka pranuar vetëm mendimin e Taulant Ballës për shtimin e fondit prej 60 milionë lekësh për KPA-në. Edhe propozimet e tjera të mbërritura nga Monika Kryemadhi dhe Erisa Xhixho, Petrit Vasili nga LSI si edhe Alfred Rushaj dhe Jorida Tabaku nga PD u hodhën poshtë.
Nga ‘Foltorja’ Braçe tha se me këtë paketë të prezantuar nga qeveria është goditur më i dobëti duke kërkuar të hiqet favorizimi TSVH-së për hotelet me 5 yje, pasi sipas tij mjafton favori që iu është bërë me lejimin e kazinove.