Rama në mbledhjen e kuvendeve Kosovë-Shqipëri

‘Kuvendi i shqiptarisë’, për dy vende që mund të bëhen një

27 Nëntor 2022, 22:21| Përditesimi: 27 Nëntor 2022, 22:23

  • Share

Për të parën herë, në sallën e parlamentit shqiptar, një mbledhje e përbashkët mes dy kuvendeve, njëri i Shqipërisë e tjetri i Kosovës, ndodh. Një ngjarje historike. Një Kuvend shqiptarie…

Për çfarë? Për dy vende që, sipas dy kryeministrave respektivë, Edi Rama nga Shqipëria dhe Albin Kurti nga Kosova, bëhen!

“Nderojmë të kaluarën që na përbën sot dhe ecin bashkë, duke gëzuar sukseset e sotme të Shqipërisë”, tha Kurti, fjalimi i të cilit nga foltorja e Parlamentit shqiptar, i parapriu fjalës së Ramës.

“Më herët, se sa vonë, kështu do të vijë njohja e Kosovës”, reflektoi nga ana tjetër kreu i Qeverisë shqiptare.

Pikëprerje të tregimeve të ndryshme ato, por të emetimeve të të njëjtës rrjedhë logjike mendimi, fjalët e të dyve.

Me martirët në mend, për të konkretizuar atë çfarë e “keqja” e shqiptarëve ka qenë ndër dekada, Rama solli histori çnjerëzore të trajtimit të firmëtarëve të pavarësisë, për të nisur ligjëratën përpara deputetëve shqiptarë.

“Dom Nikollë Kaçorri vdiq në ekzil dhe bibliotekën ia bënë shkrumb e hi”, përmendi ai, duke shtuar edhe histori të tjera të firmëtarëve të pavarësisë, të cilët janë dhunuar barbarisht në analet e historisë.

Kurti nga ana tjetër, duke përmendur penën e Luigj Gurakuqit, si shkrues i deklaratës së pavarësisë dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri, ka shtruar pyetjen nëse të gjithë, e kanë bërë apo jo detyrën ndaj atdheut.

Sipas tij, për këtë, të gjithë duhet të njohin fajet e veta, t’i shtrijnë dorën e bashkëpunimit tjetrit e të betohen se sot e mbrapa, lufta, bëhet vetëm për nderin e kombit.

Një si “mea culpa” kjo, për të përligjur faktin se kritikat – qofshin këto edhe ndërhyrje në çështjet publike të njëri-tjetrit – nuk janë për të penguar, por për të kontribuuar.

Një aspekt, i cili sipas tij, duhet jo të na trishtojë, por të na gëzojë.

“Hapësira jonë publike, politika, kultura e ekonomia, nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku e vëmë të gjithë nga një gurë”, përmendi ai.

Rama ndërkaq, më pak i “interesuar” ka qenë për të folur për “ndërhyrjet”, duke u përqendruar në faktorin shqiptar, si kontekst i sotëm.

“Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më mirë në raport me të huajt. Po ashtu si kurrë më parë, shqiptarët nuk janë më mirë në raport me vetveten”, përmendi kryeministri.

Pas, nuk i la ai as dy kontribute të rëndësishme, si ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, apo Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, me Hashim Thaçin.

Të dy ata, të munguar, për shkaqe krejt të ndryshme, në seancën solemne të mbajtur në Tiranë.

Por, po ashtu, edhe në rajon e më gjerë, shqiptarët më mirë se kaq, nuk kanë qenë, në fjalën e kreut të ekzekutivit shqiptar.

Mjafton të shohësh se si Kosova është e pavarur dhe shumë pranë njohjes tërësore.

Se si në Maqedoninë e Veriut, shqipja është tashmë gjuhë zyrtare dhe një pjesë e mirë e qeveritarëve atje, janë shqiptarë.

Në Malin e Zi, kryeministri është shqiptar.

Pra, faktori shqiptar, më shumë se kurrë, është i fuqizuar për Ramën.

Vlerë të shtuar, marrin edhe projekte shumë të rëndësishme, sakaq të përbashkëta.

Porti i ri tregtar i Durrësit, do të jetë edhe Porti i thatë i Prishtinës.

Hekurudha që do i lidhë këto dy porte, do të jetë edhe një rrugë tjetër, alternative, për lidhjen tokësore të shqiptarëve në dy territoret.

Abetarja e përbashkët, bashkëpunimi i gjerë institucional, të gjitha të përmbledhura në arritje të mëdha mes dy vendeve, për ta kthyer atë në bashkërendim.

“Shqipëria bëhet, Kosova bëhet, trojet tona bëhen”, frymëzoi Kurti, përcaktoi Rama.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?