Kuvendi Kombëtar i Gjuhës, Emil Lafe: Duhet mbrojtje ligjore! Nesër publikohet drafti për Fjalorin e madh të Shqipes

21 Nëntor, 12:03| Përditesimi: 21 Nëntor, 15:18

  • Share

Mbrojtja ligjore e gjuhës shqipe në përdorim publik siç parashikohet në nenin 59 të Kushtetutës dhe krijimi i një komisioni shtetëror për kujdesin ndaj gjuhës shqipe është ajo çfarë kërkoi gjuhëtari Emil Lafe në Kuvendin Kombëtar të Gjuhës Shqipe, që po mbahet në Pallatin e Brigadave më 21 dhe 22 nëntor. Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe: “Sfidat e gjuhës shqipe në shekullin XXI: E ardhmja e gjuhës shqipe në epokën e teknologjisë” sjell në vëmendje çështje dhe problematika të saj në ditët e sotme.

Sipas prof. Emil Lafe, në vend ka traditë të kujdesit për gjuhën, që duhet pasuruar dhe njëkohësisht duhet ngulitur disiplina gjuhësore.

“Disiplina është tipar themelor për shtetin por nuk kemi arritur të ngulitim një disiplinë të tillë për gjuhën. Jo vetëm të metat gjuhësore në prodhimin shkresor të adminsitratës dhe cungim të alfabetit. Shtetit tonë i mungon një regjistër i koordinuar i qendrave të banuara dhe hapësirave gjeografike në përgjithësi.”, - shprehet gjuhëtari.

Lafe vëren se probleme ka edhe në emërtime politike shumë të rëndësishme, ndërkohë që duhet të kemi guximin të ndreqim gabime gjuhësore edhe kur jemi mësuar gjatë me to.

“Këto çështje mund të gjejnë zgjidhje të drejtë vetëm përmes një ogranizimi vendimarrës dhe nëse merret vendim i arsyetuar. Gjuha shqipe ka nevojë të pastrohet dhe mbarështohet. Republika e Shqipërisë ka përgjegjësi për mbarëvajtjen e gjuhës shqipe. Gjuha duhet të jetë shembull orientues.”, vijon ai.

Lafe thotë se terminologjia e përbashkët dhe njehsimi i saj në Shqipëri dhe në Kosovë ndikon drejtpërdrejt në ruajtjen e shqipes dhe kjo është diçka urdhërues, ashtu si dhe bashkëpunimi i qëndrueshëm.

“Jo vetëm abetare e përbashkët, por gjuha shqipe duhet të jetë në lartësinë e gjuhëve evropiane edhe në fushën e shkencës, teknikës, kulturës moderne dhe organizimit të shtetit. Një dhe e pandarë.”

Duke shprehur besimin se qeveritë e dy vendeve do të bashkëpunojnë për të përballur së toku sfidat e shqipes në shek XXI, Lafe vëren se ka përgatitur një letër mbi atë se çfarë mund të bëjë gjuhësia dhe që ua dorëzoi kryeministrit Edi Rama dhe ministreve të Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ndërsa kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi vëren se Dita e Alfabetit për herë të parë kremtohet zyrtarisht në tre shtete dhe nënvizon rolin e madh të studiuesve dhe punën e tyre në shërbim të gjuhës shqipe.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha bën me dije se më 25 nëntor, në Departamentin e Gjuhësisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë do të mbahet një konferencë për krijimin e një rrjeti të qendrave dhe katedrave të Gjuhës Shqipe në botë, ku do të marrin pjesë rreth 25 studiues dhe albanologë. Sipas tij, ky rrjet do të shërbejë si qendër për të çuar përpara gjuhën shqipe.

Nga ana e saj, ministrja e Arsimit e Kosovës, Arbërie Nagavci vëren se në Kosovë janë dhënë bursa për studentët që studiojnë gjuhë dhe letërsi shqipe në Prishtinë, gjë që këtë vit ka pesëfishuar aplikimet për gjuhësi dhe ka 12- fishuar aplikimet për letërsi.

Ajo vëren edhe që Seminari Kombëtar për Gjuhën dhe Letërsinë Kombëtare në Prishtinë është në dekadën e tij të pestë, ndërkohë që Prishtina ka qenë edhe mikpritëse e seminarit të Gjuhës Shqipe në Diasporë.

Ndërsa ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Ogerta Manastirliu rrëfen punën që është bërë dhe duhet bërë e po vijohet të bëhet në shkolla për Gjuhën Shqipe. Ajo vë theksin në hartimin e tekstit të përbashkët të shqipes për nivelin e dytë, ndërsa tregon se pritet të finalizohet niveli i tretë i këtij teksti për të gjithë fëmijët në diasporë. Manastirliu bëri me dije se për herë të parë do të organizohet Olimpiada për Gjuhën Shqipe për ciklin e mesëm të lartë, ndërsa tekstet do të kalojnë përmes një procesi modernizimi të kurrikulës bërthamë, duke filluar nga Gjuha Shqipe dhe Letërsia.

“Ky vit për shqipen është edhe që çdo përpjekje për gjuhën shqipe duhet të fillojë nga shkolla dhe kemi nevojë për mësues të kualifikuar. Kemi filluar me program kombëtar të trajnimit për rreth 2 mijë mësues të gjuhës dhe letërsisë.”, - thotë Manastirliu.

Ajo sjell në vëmendje edhe projektin për hartimin e manualit që do t’i vijë në ndihmë administratës publike, ndërsa vëren se po punohet edhe për përtëritjen e gjuhës edhe për epokën digjitale, pa harruar edhe bashkëpunimin me katedrat dhe qendrat albanologjike jashtë vendit.

Ndërsa kryeministri Edi Rama nënvizon se Dita e Kongresit të Manastirit lidhet me një moment të rëndësishëm, kur shqipja bëhet një përkatësi e përbashkët e të gjithëve ne. Ai thekson se shumë shpejt, shqipja do të jetë gjuhë zyrtare edhe e BE-së dhe me siguri do të rreshtohet ndër më të rrallat dhe të veçantat në Union.

“Dua të them se ky Kuvend vjen edhe si një produkt i samitit të tretë të diasporës që u mbajt në Tiranë në nëntorin e vitit të shkuar, ku shqipja ishte një nga temat kryesore dhe nga ku dolëm sëbashku me gjithë atë komunitet në disa përfundime e morëm disa angazhime.”, - thotë Rama.

Ai e lidhi këtë Kuvend edhe me kujtimin e Arbën Xhaferrit, shqiptari që pati idenë që të kërkojë që dita e Alafafentit 22 nëntori të jetë festë kombëtare për shqiptarët në Maqedoni e prej këtij viti kjo është festë për gjithë shqiptarinë. Rama i jep rëndësi faktit që ditën e nesërme, më 22 nëntor, në Kuvend do të prezantohet drafti për Fjalorin e madh të Shqipes, për të cilin do të mirëpriten edhe vërejtje, ndërkohë që solli në vëmendje edhe punën që po bëhet për hartimin e Librit të madh të Historisë së Shqiptarëve.

B.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?