Avokates së Popullit, Erinda Balanca i ka mbaruar mandati në maj 2022, por ajo vazhdon punën duke pritur pasardhësin më shumë se tre vite.
Disa tentativa të parlamentit të shkuar për të gjetur një emër konsensual mes PS-së dhe PD-së dështuan, teksa kombinohej nevoja për 84 vota, si dhe një praktikë e mirë që ky post t’i besohej një emri të propozuar nga opozita.
Pas një kohe të gjatë pa lëvizur asnjë gur, Kuvendi i është rikthyer kësaj çështjeje.
Report TV ka mësuar se ditën e hënë, Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike do të zhvillojë një mbledhje të posaçme, pasdite në orën 17:00, për shpalljen e vakancës së Avokatit të Popullit.
Kjo do të thotë se të gjithë ata që kanë interes, duhet të aplikojnë nga e para pranë Parlamentit.
PS ka tashmë 83 vota, dhe me 3 mandatet e PSD-së lehtësisht mund të zgjedhë një Avokat Populli pa përfshirjen e Partisë Demokratike.
Megjithëkëtë, PS ende nuk është shprehur nëse do të tentojë sërish konsensusin me demokratët.
Herën e shkuar u paraqitën në Kuvend figura të spikatura për këtë post ( Vitore Tusha, Bledar Dervishaj, Tartar Bazaj, Besim Ndregjoni, Dardan Mustafaj, Edison Frangu dhe Erald Aga), por asnjëherë ata nuk u hodhën në votim, sepse nuk u arrit një marrëveshje PS-PD.
Komente
