Politikë

Kuvendi miraton 8 projektligje me votat e PS, mes tyre Plani i Rritjes i BE, ‘Paketa e Maleve’, shtyrja e afatit të Komisioneve Xhafaj-Braçe dhe hapja e zyrës së BEI

13 Mars, 16:39| Përditesimi: 13 Mars, 20:04

  • Share

TIRANË- Shqipëria do të ketë në dispozicion 922 milionë euro nga Bashkimi Evropian për reformat në rrugën drejt integrimit në familjen evropiane.

Me 74 vota pro, asnjë kundër apo abstenim Kuvendi miratoi marrëveshjen e huasë me BE-në, në kuadër të zgjerimit për Ballkanin Perëndimorë që parashikon 657 mln euro kredi ne kushte të favorshme dhe 264 euro grante. Fonde që do të merren gradualisht sipas projekteve që do financohen dhe kushteve që do të plotësohen.

Fondet që vendi do të marrë nga BE, do të menaxhohen dhe mbikëqyren nga Banka Evropiane e Investimeve, e cila do të hapë një zyrë edhe në Shqipëri. Hapja e përfaqësisë së BEI në Tiranë u miratua me 72 vota pro.

Mes akuzave nga ato pak deputetë të opozitës që ishin në seancë plenare u miratua edhe Paketa e Maleve, me 73 vota pro, e cila synon shitjen e pronës shtetërore me 1 euro tek poseduesit faktik, me kusht që të zhvillohet për biznes.

Për opozitën paketa është e dedikuar për disa klientë të qeverisë dhe që do të dëmtojë zonat malore, ndërsa për qeverinë është ftesë drejtuar emigrantëve për tu kthyer në vend.

“Kush do të përfitojë nga kjo paketë? Gastorët e oborrit, biznesmenët që do të mbulojnë fushatën, ata që do të ndihmojnë me vota personale ministrin meqë ka dalë në listë të hapur, dhe rroftë që e përdorim Shqipërinë si plaçkë elektorale për të dhënë tokat në male, në fusha, në kodra, bregdet e kudo”, u shpreh Ina Zhupa. 

“Inkurajon kthimin e diasporës dhe zhvillimin ekonomik në zonat rurale, nuk ja transferon tokën oligarkëve por ua transferon banorëve të zonave malore të gjyshërve të tyre”, u përgjigj ministri Blendi Gonxhja.

“Është një mekanizëm për të shitur pasuritë kombëtare. Fshiheni nën petkun që do të vijnë emigrantët po ju vetë i keni përzënë emigrantët. nëse ai vjen le ta marrë s’ka nevojë të paguaj 1 euro”, tha deputeti Asllan Dogjani.

“Zero % taksa bashkatdhetar, madje 10 vitet e para 500 sipërmarrësit do të kenë 0% Tvsh. Në total janë ndërtuar 300 agroturizma dhe synojmë të shkojmë në 1 mijë agroturizma”, u shpreh minsitri Taulant Balla.

Dritë jeshile pati edhe për huanë në vlerë 118.5 milionë dollarë që do të merret nga Emiratet Arabe për sistemin e Kamera Smart City”.

Ligjvënësit me nga 73 vota pro zgjatën afatet deri në fund të kësaj legjislature parlamentare për dy komisionet e posaçme parlamentare atë të dezinformimit të drejtuar nga Erion Braçe dhe ai ‘anti-korrupsion’ të drejtuar nga Fatmir Xhafaj.

Projektligjet e votuara në Parlament:
-Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, si huamarrës, Bankës së Shqipërisë, si agjent i huamarrësit, dhe Bashkimit Evropian, të përfaqësuar nga Komisioni Evropian, si huadhënës, për "Lehtësinë e reformës dhe zgjerimit për Ballkanin Perëndimor""

74 vota pro
0 kundër 
0 abstenim

-Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar"
73 vota pro
0 kundër
0 abstenim
-Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve lidhur me hapjen e përfaqësisë së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri".
72 vota pro, (mes tyre Leskaj e Avdylla)
0 kundër 
0 abstenim
-Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi-t për financimin e projektit "Sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit - Smart City".
74 vota pro
1 kundër, Bujar Leskaj
0 abstenim
-Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së facilitetit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Bashkimit Evropian, të përfaqësuar nga Komisioni, për rregullimet specifike për zbatimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të facilitetit për reforma dhe rritje"
73 vota pro
0 kundër 
0 abstenim
-Projektligji "Për Paketën e Maleve"
73 vota pro
1 kundër 
1 abstenim
-Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10416, datë 7.4.2011, "Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor".
74 vota pro
0 kundër 
0 abstenim
-Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 90/2016, "Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, në Republikën e Shqipërisë"".
73 vota pro
0 kundër 
1 abstenim (Leskaj)
-Zgjatja e afatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Shqipërinë 2030 (Komisioni i Fatmir Xhafajt)
73 vota pro
0 kundër 
0 abstenim 
-Zgjatja e afatit të Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin (Komisioni Braçe)
73 vota pro
0 kundër 
0 abstenim

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?