Kuvendi miraton kredinë e Bashkisë Tiranë me Bankën KFW: 50 mln euro kredi për autobusë elektrikë në Tiranë! Projekti mbështetet nga socialistët e vjetër

9 Maj, 20:08| Përditesimi: 10 Maj, 01:16

  • Share

TIRANE- Kuvendi miratoi sot (09 maj 2024)  me 77 vota pro e 9 kundër marrëveshjen e huasë që Bashkia e Tiranës do të marrë prej Bankgës gjermane KFW për  transportin e gjelbër. Bëhet fjalë për marrjen e një kredie prej 50 milionë euro për të zëvendësuar plotësisht tre linja të autobusëve në Tiranë me autobusë elektrikë, brenda vitit 2029.

Objektivi është ndërtimi i sistemit të transportit me kapacitet të lartë BRT, në tri korridoret e transportit qytetës të Bashkisë Tiranë:  Tirana e Re; Unaza; Kombinat – Kinostudio.

Sipas këtij projejti do të futen 50 autobusë elektrikë, të cilët do të kenë 52 kilometra korsi të dedikuara në të dyja anët e rrugës.  Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KFË Frankfurt am Main (KfW), për financimin e projektit “Transporti i gjelbër i Tiranës” u mbështet nga deputetët socialistë

Deputetë socialistë, emra të rëndësishëm në PS si Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko Etilda Gjonaj, Toni Gogu, Ilda Ferhati, Erion Braçe etj mbështetën projektin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe theksuan domosdoshmërinë për të çuar përpara këtë projekt, që reformon shërbimin e transportit për qytetarët. 

Ata theksuan se përveç rritjes së shpejtësisë dhe efikasitetit të transportit publik, projekti do të promovojë përdorimin e mënyrave të transportit të qëndrueshëm dhe redukton ndotjen e ajrit, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit në qytet.

Pjese nga diskutimet 

 Blendi Klosi: Në qoftë se në Shqipëri vijnë 10 mln turistë në 2023, projekti jonë është të shkojë në 30 mln në 2030. Ku do lëvizin këta njerëz, nëse nuk kemi investime në infrastrukturë? Ju (opozita) nuk ndaheni dot nga ballkoni, sado që BE dhe SHBA e shpall ‘non grata’ (Berishën) ju vazhdoni me të njëjtën politikë. Kështu bëni çdo ditë për çdo vepër publike sepse nuk ndaheni dot nga ballkoni i “non gratës”.

 Taulant Balla: Nëse do ishe në opozitë dhe mendon se në 2025 do vish në pushtet, do thuash do ta votoj këtë marrëveshje se vitin tjetër fillon të zbatohet dhe unë do jem në qeveri. Por, ju e dini se nuk keni shans dhe për turpin tuaj keni deklaruar se do ta votoni kundër sepse jeni kundër përmirësimit të transportit urban në Tiranë, kundër përmirësimit të linjës që lidh Kombinatin me Kinostudion, Unazën e Tiranës me Tiranën e Re, pjesë e këtij projekti me autobusë tërësisht miqësorë me mjedisin që nuk përdorin lëndë djegëse fosile. Të them të drejtën nuk di si do i përgjigjeni një qytetari që thotë: Moj zonjë, unë do udhëtoj me autobus, se ti vjen me Benz. Unë në përgjithësi në Tiranë lëviz në këmbë. Ti me shokët e tu, edhe kur shkoni në protestë tek Bashkia, shkoni me makinë.

Fatmir Xhafaj: Unë besoj te Bashkia e Tiranës, te Kryetari i saj, te ekipi drejtues i bashkisë, dhe mbi të gjitha te specialistët dhe punonjësit e saj, falë të cilëve kjo Tiranë është shumë më e mirë dhe më e zhvilluar seç ishte para disa vitesh. Ky është fakt! Tirana sot s’ka të krahasuar me Tiranën e drejtuar prej jush (opozitës).

Petro Koçi: Kryeqyteti ka nevojë për një epokë të re në transportin publik! Mbështesni një projekt ku përfituese është Tirana e qytetari dhe jo bashkia. Ejani, bashkohuni me projektin e Shqipërisë 2030. Boll sulmuat Tiranën me urdhër të tiranit. Boll sulmuat SPAK me urdhër të ‘shplakut’. Hiqni dorë nga molotovizmi. E mbështes fort asistencën gjermane dhe të BE në këtë projekt, ku përfituesi është qytetari i thjeshtë.

Etilda Gjonaj: Dua të falenderoj qeverinë shqiptare, por njëkohësisht edhe të përgëzoj kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj, që ndërsa një grusht njerëzish godasin bashkinë me molotov, për të zgjidhur hallin e tyre personal, halli i vetëm i tij janë banorët e kryeqytetit, dhe për ta shndërruar Tiranën si një kryeqytet pa asnjë dallim me kryeqytetet e tjera të Europës.

Pandeli Majko: Këtu jemi mbledhur për të diskutuar një marrëveshje me KfW. Duhet kujtuar se bëhet fjalë për një marrëveshje me qeverinë gjermane. Duke hedhur dyshime, ju duhet të rigjykoni qëndrimin. Këtu flitet për një marrëveshje me KfË dhe ju diskutoni nga konflikti në Ukrainë dhe Gaza. Bëhet fjalë për një marrëveshje nga fondet e BE, me qëllim që të jemi të qartë që bëhet fjalë për rritjen e cilësisë së jetesës në Tiranë.

Toni Gogu: Ky nuk është një model eksperimental, por një model i transportit publik i provuar dhe që e gjejmë në qytetet më të zhvilluara të Europës. Marrëveshja me KfË mundëson Transportin e Gjelbër të Tiranës, mënyra më efektive për të zëvendësuar përdorimin e makinës, duke rritur përdorimin e transportit publik, reduktim të trafikut, më pak ndotje.

Eduart Shalsi: Njerëzit nuk dallohen nga fjalët vetëm, por dallohen nga veprat, nga gjurmët që lënë. Tirana ka qenë me fat që për këto vite ka pasur edhe Kryeministrin edhe Kryetarin e Bashkisë në një linjë. Tirana sot ka numrin më të lartë të vizitorëve për vitin 2023 në të gjithë Europën. Si ndodhi kjo, rastësisht?

Etjen Xhafaj: Është projekt zhvillimor, është vlerësim që Evropa i bën Tiranës në Ditën e Evropës, që kalojnë sot 32 mln euro për të siguruar qarkullim me autobusë elektrikë. Ekonomia, popullsia, turistët, lëvizin të gjithë në Tiranë sepse realiteti i zhvillimit të këtij qyteti ka ndryshuar rrënjësisht. E prekim me dorë dhe e shohim. Jemi sot duke jetuar në atë që është motori i zhvillimit ekonomik të të gjithë vendit.

Plarent Ndreca: Ky program mundëson zgjerimin e rrjetit të transportit publik dhe rritjen e efektivitetit ekonomik në favor të transportit. Synohet rritja e kërkesës për linjat e transportit publik, me impakt pozitiv të drejtpërdrejtë në mjedis. Fakti që BE akordon grantin për të kontribuar në këtë projekt është tregues i besueshmërisë  ndaj Bashkisë së Tiranës.

Pro projektit ka qenë dhe deputeti opozitar Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së. Por ka pasur dhe deputetë të opozitës kundër si Jorida Tabaku e cila kërkoi transparencë.

"Në 2021 Parlamenti miratoi marrëveshjen 50 mln euro për transportin ku përfitoi Bashkia Tiranë.  Duhet të sqarojmë çka ndodhur me drejtorin e transporteve në bashki që menaxhoi fondin ne parë. Ai sot është në burg. Jemi të sigurt që sot drejtësia nuk po heton edhe tendera që lidhen me transportin. Propagandën e retorikën politike e bëjmë të gjithë. Por kushdo që flet aty të mos thotë pallavra. Pse drejtori është sot para drejtësisë. Pse tenderat e bashkisë janë sot nën hetim. Qytetarët presin transparencë" tha ajo.

Edhe deputeti demokrat Bledion Nallbati ishte kundër. 

"Së pari njëherë, 50  milionë Euro jane kredi qe do te paguhen me interes nga qytetarët. Dhe se dyti këta e kanë treguar me shembuj në 12 vjet, që I vjedhin paratë e Shqiptarëve, Europianeve , madje madje edhe njëri tjetrin, ka në këtë sallë nga ju qe e dine mire se si këta kanë vjedhur apo grabitur me dhunë njëri tjetrin. Ndaj mendohuni kur votoni se nuk jeni Ushtarë, nuk jeni Skllever, jeni Deputete të zgjedhur me votën e qytetareve për të mbrojtur interesin e tyre dhe jo të këtyre" tha Nallbati në fjalën e tij para se marrëveshja të hidhej në votim.

Seanca e Kuvendit zgjati 10 orë.

Foto: Votimi sot ne Kuvend

Ora 15:49
Shehi 'pro' transportit të gjelbër në Tiranë: Shpreh aprovimin tim, investim pozitiv

 

Deputeti opozitar Dashamir Shehi nga foltorja e Kuvendit në seancën e sotme ka shprehur aprovimin e tij për projektin e bashkisë së Tiranës për transportin e gjelbër në kryeqytet. Shehi gjithashtu aprovon dhe marrëveshjen e bashkisë me kompaninë gjermane KFW. 

“Unë po e deklaroj që në fillim që jam dakord me këtë marrëveshje. Do më kishte pëlqyer që të kishte ardhur më e detajuar. Gjithsesi çfarëdo investimi për transportin publik në Tiranë është pozitive dhe unë e aprovoj. E aprovoj dy herë sepse vjen nga një qeveri shumë mike, siç është qeveria gjermane. Është modeli më i mirë që kemi sot për sot për investitorët e huaj. Unë për këtë projekt jam pro dhe besoj që edhe kolegët e opozitës janë pro”, theksoi Dashamir Shehi.

Ora 13:24
Transporti publik/ Xhafaj pro projektit të Veliajt dhe KFW gjermane: “Tirana sot s’ka të krahasuar me Tiranën e drejtuar prej të djathtëve; mirënjohje partnerëve gjermanë”

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka dalë në mbështetje të nismës së Bashkisë së Tiranës për transportin e gjelbër në kryeqytet. Nga Kuvendi, Xhafaj theksoi se beson tek Bashkia e Tiranës dhe tek ekipi i specialistëve vendas dhe të huaj që kanë punuar për këtë projekt.

“Po, unë besoj edhe tek Bashkia e Tiranës, te Kryetari i saj, te ekipi drejtues i bashkisë dhe mbi të gjitha te specialistët dhe punonjësit e saj, falë të cilëve kjo Tiranë është shumë më e mirë dhe më e zhvilluar seç ishte para disa vitesh. Ky është fakt! Tirana sot s’ka të krahasuar me Tiranën e drejtuar prej jush, edhe në këtë çështje për të cilën po flasim. E vërtet, ekipi drejtues i Tiranës nuk arriti në këto tre mandate të na prezantonte një projekt tramvaji imagjinar, si ato të mandatit tuaj imagjinar. Ky është fakt dhe duhet pranuar. Po ju duhet të pranoni se sot kemi shumë herë më tepër linja autobusi e autobusë seç ky qytet kishte kur e morëm nga duart tuaja, si dhe një infrastrukturë urbane shumë e shumë më të mirë. E ky është fakt që veç ju nuk e pranoni”, tha ai.

Deputeti Xhafaj nënvizoi se kjo marrëveshje që lidhet me KFW hap një faqe të re në infrastrukturën moderne urbane dhe në shërbimin ndaj qytetarëve, në lehtësimin e lëvizjes së tyre përmes transportit të shërbimit publik.

“Ti thuash PO këtij projekti do të thotë ti thuash PO lehtësimit të shërbimit të transportit publik në akset kryesore të qytetit, ti thuash PO cilësisë më të mirë të jetës së qytetarëve që e mbështesin lëvizjen e tyre, te ky lloj shërbimi. Ti thuash PO këtij projekti të lëvizjes vetëm me autobus elektrik do të thotë ti thuash PO një mjedisi më të mirë dhe më të shëndetshëm të banorëve dhe fëmijëve të këtij qyteti. Ne duhet t’i shprehim mirënjohjen qeverisë gjermane për mbështetjen financiare ndaj këtij projekti kaq të mirëpritur prej nesh. Qeveria gjermane është një nga donatorët dhe financuesit kryesorë të shumë projekteve të zhvillimit, projekte që kanë rezultuar shumë të suksesshme në disa aspekte, falë edhe faktit që strukturat e tyre ndjekin me rigorozitet maksimal cilësinë dhe efektshmërinë e projekteve të financuara prej tyre. Ndaj, vota PRO është edhe një shprehje mirënjohjeje ndaj këtij partneri të rëndësishëm për mbështetjen që jep, por edhe për besimin që shpreh ndaj institucioneve tona”, deklaroi Xhafaj.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?