TIRANË- Kuvendi ka nisur punën për zbatimin e 3 vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për ligjin për tatimin e profesioneve të lira, Rregulloren e re të Kuvendit dhe ligjin për Komisionet Hetimore parlamentare. Në mbledhjen e parë të Këshillit të Legjislacionit palët u dakordësuan për të nisur punën, por për opozitën emergjencë është shqyrtimi i ligjit për profesionet e lira.
“Vendimet do të shqyrtohen në Këshillin e Legjislacionit në procedurë parlamentare, do ketë propozime dhe amendamente nga kolegë deputetë. Do ketë një raport me një relator nga pakica dhe një nga mazhoranca. Vendimi i GJK për tatimet duhet të shqyrtohet në mënyrë emergjente”, tha kryetarja Dhurata Çupi.
Kreu i grupit të PD, me ironi foli për deklaratën e ministrit të Financave, Petrit Malaj se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për tatimin e parapaguar. Bardhi tha se lekët duhet t’iu profesionistëve të lirë me procedurë të përshpejtuar.
“I mbyti qeveria me tatim antikushtetues 30 mijë profesionistë të lirë. Ca të bësh me lekët ta ka thënë GJKK, do duhet t’ua kthesh. Është vendim antikushtetues, thotë çdo tatim i parapaguar nga këto profesionistë do duhet t’iu kthehet buxhetit familjar të tyre dhe jo buxhetit të shtetit. Atë që hartoi dispozitat për të shtypur të drejtën e opozitës për kontroll parlamentar, i njëjti person që la treguar me vepra që nuk pyet për kushtetutë, themi që do e caktojmë të rregullojë antikushtetueshmërinë e vet. Kjo tregon që ju nuk tërhiqeni nga antikushtetueshmëria. E vetmja gjë që ka për ndërhyrje është ligji për tatimin e profesionistëve të lirë. Duhet të tërhiqeni dhe ndoshta me procedurë të përshpejtuar t’u kthejmë paratë mbrapsht”, tha Bardhi.
Bardhi shigjetoi edhe zv.kryeministren duke thënë se tatimi duhet t’i kthehet profesionistëve të lirë që mos të shkojnë te Belinda Balluku.
“Paratë e profesioneve të lira, që iu morën përmes një takse anti-Kushtetuese, të shkojnë tek profesionet e lira. Ato para të mos shkojnë tek Belinda Balluku, e cila një rrugë që jepet të ndërtohet me 140 milionë euro, pak muaj më pas kushton 180 milionë euro”, tha ai.
PS caktoi Eduard Shalsin si relator të ligjit të ri që do të shkruhet për tatimin e profesionistëve të rinj, ndërsa Gjykata Kushtetuese në qershor 2024 pikën e ligjit që i detyronte profesionistët e lirë të paguanin tatim për të ardhurat në masën 15 %.
Sa i takon rregullores së Kuvendit dhe ligjit për Komisionet Hetimore, PD akuzoi mazhorancën se me vendime antikushtetuese ka shkelur të drejtat e opozitës. Madje Bardhi u bëri thirrje që të kërkojnë ndjesë, ndërsa pakënaqësi shfaqi për caktimin e Ermonela Felajt si realtore e PS për ligjin për Komisionet Hetimore.
“Ajo që është autorja e mbylljes së gojës së opozitës, nuk mund të jetë korrigjuese e ligjit”, tha Bardhi.
Mazhoranca i cilësoi vendimet e Gjykatës Kushtetuese kundër qeverisë, si provë e pavarësisë së drejtësisë.
“Është pozitive që Gjykata Kushtetuese jep vendime edhe kundër qeverisë. Kjo tregon se funksionon shteti i së drejtës. E përgëzoj gjykatën për paanshmërinë dhe objektivitetin”, tha Fatmir Xhafaj.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Komisionet Hetimore do mbahen me dyer të mbyllura vetëm kur ka sekret hetimor, ndërkohë kërkesat për informacion nuk do jetë me e nevojshme që të kalojnë në filtrin e votës. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese në korrik 2024 shfuqizoi edhe nenin që parashikon marrjen e lejes nga prokuroria dhe gjykata për pyetjen e dëshmitarëve, si dhe të drejtën e dëshmitarit për të refuzuar të dëshmojë.
LEXO KËTU: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që shfuqizon tatimin 15% për profesionet e lira
LEXO KËTU: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ligjin për Komisionet Hetimore
LEXO KËTU: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Rregulloren e re të Kuvendit