TIRANË- Si rrallë herë opozita dhe mazhoranca ishin në një linjë për akuzat që përfshinë RTSH në garën për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm. Dakordësia u vulos sot në Kuvend me shkarkimin e 11 anëtarëve, mes tyre drejtuesit Leka Bungo, për të cilin u votua me 95 vota pro për shkarkimin, 5 abstenime, 3 kundër.
Tashmë Kuvendi do të shpallë vakancat për anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH, duke i lënë mundësinë çdo kandidatë që të aplikojë. Zakonisht, disa emra propozohen nga mazhoranca dhe disa nga opozita. Është po Kuvendi që i emëron në detyrë dhe më pas Këshilli i ri Drejtues i RTSH do të vazhdojë procedurat e reja për zgjedhjen e drejtorit të RTSH, garë e cila aktualisht është e pezulluar.
I gjithë ky proces nisi pas shkeljeve në garën për drejtor të Përgjithshëm të Radio televizionit Publik Shqiptar, tashmë të pezulluar. Ato nxorën në pah një sërë abuzimesh të Këshillit drejtues të RTSH-së, nga fondet e deri te konflikti i interesit.
Shkarkimi erdhi pas debatit në lidhje me procedurat që u ndoqën në përzgjedhjen e kandidaturave për drejtor të Përgjithshëm të RTSH, ku me shumicë votash u skualifikuan 3 nga 5 kandidatët me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret për kualifikim.
Ndërkohë pesë kandidatë të tjerë ishin skualifikuar më parë për mangësi në dosjet e aplikimit,duke lënë në garë vetëm Jetmir Shpuzën dhe Aurora Polon, aktualisht drejtoreshë e komanduar. Gjatë këtij procesi përzgjedhje që duhej të ishte me votë të fshehtë u zbulua se anëtari Mevlan Shanaj kishte votuar online nga Vietnami.
