Kuvendi i Shqipërisë hapi ditën e sotme (23 shtator) aplikimet për një vend vakant për anëtar në "Gjykatën Kushtetuese".
Kjo është me qëllim plotësimin e "vakancës së parakohshme" të krijuar për shkak të shkarkimit nga detyra nga KPK të gjyqtarit Fatos Lulo për mosdeklarimin e pasurisë. Ai nuk justifikonte 480 mijë dollarë dhe një shtëpi në Kanada. Ky i fundit është nën hetimin pasuror të SPAK.
Të gjithë kandidatët që duan të aplikojnë për vendin vakant duhet të plotësojnë disa kritere si:
- të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;
- të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;
- të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;
- të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
- të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.
Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër, duhet të plotësojë edhe këto kritere:
- të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;
- të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;
- të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.
Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:
- vjetërsisë në profesion;
- përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;
- kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;
- treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;
- ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;
- informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.