Votat e ligjvënësve të Kuvendit të Shqipërisë do të kushtojnë deri në 16 milion e 800 mijë lekë, pasi institucioni i Kuvendit ka hapur një tender për shërbim mirëmbajtje të sistemit elektronik me anë të së cilit deputetët japin votën e tyre gjatë seancave plenare.
Tenderi është parë i arsyeshëm të hapet pasi deri më tani mirëmbajtja e këtij sistemi është kryer nga shërbimi i IT pranë Kuvendit. Operatorët e interesuar kanë deri më 9 tetor të dorëzojnë dokumentacionet përkatëse.
Shtrija e shërbimit në kohë do të jetë për një periudhë 2-vjeçare, deri në vitin 2022. Duke ju referuar dokumentacionit të hapjes së tenderit mbulimi i financimit sipas viteve paraqitet si më poshtë:
Për vitin 2020, vlera në lekë për mirëmbajtjen e sistemit elektronik të votimit do të jetë tre milionë e 500 mijë. Për vitin 2021, 8 milion e 400 mijë ndërsa për vitin 2022 4 milion e 900 mijë.
Vlera më e madhe është për vitin 2021, që përkon dhe me vitin zgjedhor, duke qenë se në 25 prill do të zhvillohen dhe zgjedhjet parlamentare.
Aktualisht në Kuvend nuk përdoret votimi elektronik. Që prej fillimit të pandemisë, deputetët u janë përshtatur rregullave të reja, një prej tyre dhe votimit me fletë. Edhe në nisje të këtij sesioni parlamentar vazhdohet me këtë mënyrë votimi.