Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën për liri të Safet Rustemit (Bajri), Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit. Ata akuzohen për vrasjen e Fabardh Licit në Shkodër, ndërsa Gjykata e Lartë refuzoi rekursin e tyre për heqjen e masës arrest në burg.
'Gjykata e Lartë vendosi: Mospranimin e rekursit të paraqitur nga personat nën hetim Behar Bajri, Safet Rustemi dhe Astmer Bilali kundër vendimit nr. 20 (87-2025- 93), datë 20.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar', thuhet në njoftim.
Safet Bajri dhe Astmer Bilali i janë drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs më 14 prill për masën e sigurisë “arrest në burg” në Gjykatën e Lartë, që u caktua ndaj tyre në muajin shkurt nga Gjykata e Posaçme dhe që u la në fuqi edhe nga Apeli i Posaçëm Antikorrupsion.
Gjykata e Posaçme miratoi masën “arrest në burg” ndaj të dyve, si dhe ndaj Behar Bajrit, si persona që dyshohet se morën pjesë në vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2018. Ndaj tyre SPAK ka ngritur akuzën “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës Fatbardh Lici, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Organi i akuzës ka dyshime që këta tre persona kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10.08.2018, në qytetin e Shkodrës, vrasjen me armë zjarri të shtetasit Fatbardh Lici, i afërm i shtetasit Ibrahim Lici.
Komente
