Ky Kod Zgjedhor që ka prodhuar këtë përfaqësim parlamentar nuk është demokratik dhe nuk i shërben Demokracisë. Deputetët zëvendësohen në listë sikur të ishin dele dhe Sovrani (Populli) nuk ka asnjë fuqi as për të dhënë pëlqimin e as për ta kundërshtuar!
Partia i vendos dhe Partia i zëvendëson! Prandaj, ajo që thuhet në Kushtetutë se "Sovraniteti i përket Popullit" nuk ekziston më dhe për pasojë do të ishte më e ndershme të shkruhej se: "Populli është dele dhe për fatin e tij vendos çobani, d.m.th Kryetar i Partisë"! Cilësia e përfaqësimit dhe marrja seriozisht për demokracinë fillon nga ndryshimi dhe zhbërja e këtij Kodi Zgjedhor, që jo vetëm nuk ofron garë, por qytetarët i kthen në të nënshtruar në diktatin e kryetarit të Partisë dhe Partitë Politike bëhet aq shumë të fuqishme që vendosin të dërgojnë në Parlament persona pa kritere dhe pa cilësi, por që ju shërbejnë me kartonë dhe me hambar votash partive në rast zgjedhjesh! Disa prej tyre duhen jo vetëm si hambar votash, por edhe si hambar parash për të sponsorizuar fushatat! Ky sistem ka bërë që njerëzit me vlera dhe po ashtu me kontribute të rëndësishme të mbeten jashtë Parlamentit! Diktati i partive duhet të bjerë në një vend që kërkon të ketë një përfaqësim sa më dinjitoz dhe të krijojë një lidhje sa më të forte mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve!
Të flasësh në Shqipëri për politikën dhe për demokracinë, tashmë nuk është aspak e lehtë, sepse politikën kanë të drejtë ta bëjnë vetëm "Ata", që kanë pallatin e pushtetit prej vitesh dhe demokracia e politika konsiderohet prej tyre një çështje ekskluzive!
Çdo zë që del jashtë tyre duket sikur nuk ka asnjë fare rëndësie, sepse më të drejtë të gjitha i kanë "Ata" dhe qytetari është i zhveshur dhe nuk ka asgjë, por asgjë e në fakt është më shumë se nudo, sepse ja kanë hequr edhe dinjitetin njerëzor e po ashtu e kanë zhveshur nga çdo gjë, ndoshta edhe nga e drejta universale për të jetuar me dinjitet!
Politika është ulur këmbëkryq tek njerëzit, madje është bërë kryqëzimi i jetës së tyre! Qytetarët e helmosur nga propaganda dhe të marr peng nga dominimi politik janë të gatshëm të sulmojnë këdo, çdo qytetar që është si ata, por kërkon të jetë i lirë dhe të ketë dinjitet për veten dhe për të tjerët! Ajo që Shqipëri kalon përtej një realiteti normal dhe të imagjinueshëm është se qytetarët janë të gatshëm të bëhen edhe armiq mes veti për shkak të politikës e harrojnë se të gjithë së bashku, pa përjashtim janë të nënshtruar, përdorur dhe po ashtu të zhveshur nga dinjiteti njerëzor pikërisht nga ajo politike që ka tashmë 30 vjet që është ulur këmbëkryq mes nesh dhe aq që e ka në mendje për të ndryshuar, reflektuar apo për të marre përgjegjësi qe i takon. Ne, si qytetare e kemi më kollaj të shajmë e të sulmojnë njëri-tjetrin nëse u përmendin politikën dhe politikanët, por nuk kanë as forcën e as vullnetin t'i kërkojëë llogari pikërisht kësaj të fundit që ua ka bërë jetën kaq shumë të vështirë e thuajse të pa jetueshme.
Ne si qytetarë nuk kemi kohë të reflektojmë se politika na ka konsideruar dhe na konsideron dele e ata janë kthyer pronarë të jetës tonë të përditshme dhe po ashtu na konsiderojnë si qytetarë të dorës së dytë nëse nuk bëjmë pjesë në rrethin e tyre të ngushtë familjar ose të pushtetit. Po si ka mundësi që kemi kaq shumë dëshirë e pasion të shpallim armik njëri-tjetrin për shkak të bindjeve tona politike e shumica e jonë nuk kanë as forcën e as vullnetin të analizojë e të kuptojë se është pikërisht kjo politike që ka tradhtuar besimin tonë dhe ka abuzuar me përfaqësimin tonë të deleguar qorrazi përmes votës! Ne, flasim për politikë dhe politika në emrin tonë bën atë që ja do qejfi pa pasur asnjë përgjegjësi as intelektual, njerëzore e as me pak politike për jetët tona! Nuk e di sa qytetare të ndershëm zgjohen në mëngjes dhe të shikojnë se si është katandisur Shqipëria?!
Këtë Shqipëri të katandisur kështu nuk e kanë bërë të huajt e as armiku i padukshëm, por pikërisht kjo politika që kemi sot dhe disa prej nesh janë të gatshëm të bëjnë "armik" çdo shqiptarë që nuk pajtohet me të dhe është kundër saj! Jo më jo, politika nuk është gjë e shenjtë dhe as kryetarët e partive nuk janë profetë, por përkundrazi janë ata që ndoshta kanë bërë edhe pakt me djallin për interesat e tyre e për të na vështirësuar jetën! A ka kuptim që disa shqiptarë në vitin 2022 të zihen, të bëhen armiq e të shahen mes veti për shkak të kësaj politike? Jo vetëm nuk ka kuptim, por as nuk duhet të ndodh! Në një vend demokratik është politika që ka frikë nga qytetari, por kjo e jona ka gjetur çelësin e suksesit, na ka futur në një rrugë qorre në luftë mes vete dhe prandaj e ka dhe do e ketë jetën e gjatë e të pa trazuar në pallatin e pushtetit për sa kohë ne do të merremi me veten dhe nuk do të jemi të gjithë në një mendje të ngrihemi dhe t’i kërkojmë llogari politikës për një Shqipëri të kantandisur si më keq dhe për dhunimin e lirëve dhe të dinjitetit tonë që e bëjnë çdo ditë për epshet e pushtetit dhe për privilegjet e saj!