Sociale
Drejt Punës

La emigrimin për fermën në Kukës! Historia e Fatmir Didës: U nxita nga thirrja e Ramës! Regjistrimi i pronave problem, s’marrim dot subvencione

5 Korrik, 08:45| Përditesimi: 5 Korrik, 09:01

  • Share

Në një pasdite të qetë verore, ndërsa rrezet e para të diellit ngrohin tokën Fatmir Dida, lëshon lopët në kullotat e gjelbra të Përbregut në Kukës.

Pas disa vitesh emigrimi, ka vendosur të kthehet në vendlindje për të ndërtuar një të ardhme ndryshe. Me pasion për bujqësinë dhe blegtorinë, ai la pas punën në emigrim për të ndjekur ëndrrën e tij të hershme.

Një vit më parë, Fatmiri ndërtoi një stallë prej 400 metrash katrorë, ku sot mban 16 krerë lopë. Investimi është bërë tërësisht me kursimet që kishte mbledhur gjatë viteve të emigrimit. Ai tregon se ideja për të hapur një biznes familjar u nxit edhe nga thirrjet e kryeministrit për kthimin e emigrantëve dhe investimin në vendlindje.

“Kam qenë 4 vite në Gjermani dhe Angli. Erdha dhe hapa këtë stallë, vjet në maj është hapur, e kam bërë me shpenzimet e mia. Kam 16 krerë momentalisht. U nxita edhe nga thirrja e kryeministrit”, shprehet Fatmir Dida.

Por kthimi nuk ka qenë i lehtë. Ai po përballet me një sërë pengesash burokratike. Prej një viti është në pritje të regjistrimit të tokës shtet, dokument pa të cilin nuk mund të përfitojë mbështetje nga institucionet shtetërore.

“Deri më tani, nuk kam fituar asgjë, vetëm kam shpenzuar. Këtu nuk kemi as treg, me e dërguar në Kosovë nuk na lejohet. Edhe për infrastrukturën energjitike jam kujdesur vetë. Asnjë lloj ndihme nga shteti. Punoj me familjen time. Jam interesuar për ndihma, duhet letra për tokën. Më pengon, sepse nuk fitoj dot as subvencione”, thotë Dida.

Edhe pse në momente të caktuara është ndjerë i zhgënjyer dhe i penduar për investimin, Fatmiri mbetet i vendosur ta çojë përpara këtë nismë.

“Këtë stallë do ta mbush plot me lopë. Nuk e lë kurrë, si të më ndihmojë shteti si jo”, vijon Dida.

Stalla ndodhet në një kodër me pamje të gjerë nga qyteti i Kukësit dhe liqeni. Fatmiri mendon se aty mund të zhvillojë një biznes që kombinon blegtorinë me turizmin rural.

“Është një vend i bukur, ka një peizazh shumë të bukur, të bësh shtëpi alpine, diçka që t’i përshtatet agro-turizmit”, shprehet ai.

Kukësi është një ndër qarqet me dramën më të madhe të emigrimit. Ndonëse në raste ende të pakëta, kthimi i shqiptarëve të larguar jashtë vendit, është një shpresë se kjo zonë do të ri-gjallërohet sikurse po ndodh me vende të tjera të veriut të Shqipërisë.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Fajtori.com: 05/07/2025 09:29

    Po normal qe smerr dot o shoku! Sikur bëre hotel në Dhërmi dhe smore dot 300 mijë euro! .... ti fermë bëre! Çi do fondet ti? Një njëri mënçur ka thënë, ka 3 mënyra për ti humbur paratë: 1. Ti humbasësh shpejt, me bixhoz. 2. Ti humbasësh me qef, me femra. 3. Të mos e kuptosh si i humbe, me bujqësi! Kështuqë, ... ti ke gjet rrugën më pak të keqe për ti humbur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?