Roberto Mancini

La Italinë për 30 milionë euro, Mancini prezantohet në kombëtaren e re: Faleminderit që mundët Argjentinën

29 Gusht 2023, 15:46
  • Share

Roberto Mancini është prezantuar si trajneri i ri i kombëtares së Arabisë Saudite në futboll. Tekniku la kombëtaren italiane vetëm pak javë më parë, teksa duket se arsyeja e vendimit ka qenë jo më shumë e jo më pak se 30 milionë euro që është paga e tij e re.

Në prezantimin në Ryad, Mancini ka shpjeguar se është kontaktuar nga arabët vetëm pas largimit nga Italia.

"Kam filluar të flas me Federatën në mes të gushtit, është normale që disa nga ndihmësit e mi nuk e dinin këtë situatë dhe tani duhet të zgjidhin situatën në Itali. Ne jemi këtu për momentin, pastaj do të bashkohen të tjerët, kemi kohë të mjaftueshme për të bërë gjithçka", tha fillimisht 58-vjeçari.

Tanimë Mancini bëhet trajneri më i paguar në botë me 30 milionë euro në sezon, me kontratë deri në 2027. Në fjalën e tij, trajneri nuk la pa përmendur edhe fitoren e Arabisë Saudite kundër Argjentinës, teksa në këtë mënyrë Italia mbajti rekordin me 37 ndeshje pa humbje.

"Dua të falënderoj lojtarët që mundën Argjentinën, duke lejuar Italinë të mbajë rekordin e saj të pamposhtur prej 37 ndeshjesh. Mendoj se lojtarët janë përmirësuar shumë në 10 vitet e fundit, ne duam të bëhemi më të mirët në Azi dhe do të duhet punë, por gjithashtu një atmosferë e mirë", deklaroi Mancini.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?