Dani Olmo, kjo është "patatja e nxehtë" në duart e drejtuesve të Barcelonës. Sulmuesi i afruar verën e vitit që lamë pas nga Leipzig për 60 milionë euro nuk mund të regjistrohet më nga La Liga, kjo për shkak të fair-play financiar dhe krizës ekonomike të Barçës.
Klubi katalanas ka provuar çdo formë për të pasur në ekip Olmon, i cili nëse nuk regjistrohet në një klub nuk mund të përdoret as nga Spanja për ndeshjet ndërkombëtare.
Megjithë kërkesat e shumta nga Barça, La Liga dhe gjykatat nuk i kanë dhënë dritë jeshile regjistrimit të lojtarit që gjashtë muajt e fundit ishte pjesë e ekipit. Tanimë te Barcelona ka nisur një revoltë ku kërkohet largimi i presidentit Joan Laporta.
Ortakët e klubit nën drejtimin e Joan Kamprubi Montal kanë kërkuar largimin e Laportës. “Operacioni” i Dani Olmos konsiderohej i rëndësishëm dhe mos regjistrimi i tij është i patolerueshëm nga ana e ortakëve.
Nga ana tjetër agjenti i Dani Olmo, Andy Bara ka thënë se 26-vjeçari, familja e tij dhe ai vetë nuk po mendojnë asgjë tjetër vetëm për të zgjidhur situatën pasi Olmo kërkon të jetë pjesë e Barçës.
"Është një situatë stresuese për Danin siç do të ishte për çdo lojtar tjetër. Por ai është një lojtar dhe person i madh, ai po përpiqet të jetë i qetë.
Sigurisht, Dani është një fitues dhe i pëlqen të luajë ndeshjet, jo t'i shikojë ato. Barcelona është opsioni i parë dhe i fundit. Dani, babai i tij, familja, unë, nuk po mendojmë për mundësi të tjera", tha Bara.