Barcelona, kampionia e La Liga-s, e ka nisur me një barazim pa gola sezonin e ri dhe me shumë polemika. Katalanasit të cilët barazuan 0-0 në transfertën e Getafe-s mbetën me 10 lojtarë që në minutën e 42, pasi Raphinha u ndëshkua me të kuq, si pasojë e gjestit antisportiv ndaj kundërshtarit. Megjithatë në pjesën e dytë forcat u barazuan në fushë, pasi Mata për Getafe-n mori kartonin e dytë të verdhë.
Në vijim edhe Xavi do përjashtohej për shkak të protestave, por ajo që do shkaktonte polemikat më të mëdha ishte një penallti e padhënë në fund të sfidës. Araujo mori një goditje në zonë, por arbitri në VAR nuk e akordoi për një prekje të topit me dorë, që për katalanasit nuk ishte.
Kaq ka mjaftuar që gazeta katalanase Sport të quajë ‘skandal’ nisjen e La Liga-s, ndërsa Xavi rrezikon një përjashtim me disa ndeshje për fjalët e lëshuara pas barazimit 0-0. Trajneri katalanas u shpreh se ‘kjo ndeshje ishte për turp’.