Funerali i Ilaria Sulës

Opinion
Periferi

La Sapienza, Ilaria Sula dhe fuqia e dijes te vajzat

15 Prill, 19:54| Përditesimi: 15 Prill, 22:41

  • Share

Historia tragjike e Ilaria Sulës është një histori që prek thellë shpirtin dhe sakrificat e çdo shqiptari për dije dhe për përmirësim në jetë. Që ajo, vajzë e dy prindërve të lindur e rritur në Çermë të Lushnjës, studionte në “La Sapienza”, e mësuam në mënyrën më të tmerrshme që mund të mësohet një gjë e mrekullueshme: përmes lajmit tronditës të vrasjes së saj nga ish i dashuri.

Por Italia, si gjithmonë, nuk na zhgënjeu edhe këtë herë. Në fatkeqësinë pa ngushëllim të humbjes së një vajze në rrugën e saj më të bukur të jetës e të dijes, diti ta vendosë në piedestal për të thënë që: Ja kjo shqiptare e re, një prej mijëra e mijëra viktimave të dhunës, bij emigrantësh, mund të jetë qiriri i ndezur përjetë në një sallë të La Sapienza, një qiri që mund të ndriçojë rrugën e vajzave të tjera, shqiptare, italiane, apo bij emigrantësh nga e gjithë bota. Sepse Italia është kjo: Një vend me zemër të madhe, një shtet me ndjeshmëri dhe me humanitet dhe një Universitet, si La Sapienza, që duhet të përfitojmë ta njohim në tërësinë e një djepi të kulturës në Europën që ëndërrojmë. Në Europën ku Ilaria ishte pjesë.  

Universiteti “La Sapienza” ndodhet në zemër të Romës, një kryqëzim kulturash dhe historie, një nga universitetet më të vjetra dhe më prestigjiozë. I themeluar në vitin 1303 nga Papa Bonifacio VIII, ka kaluar mbi shtatë shekuj histori duke u kthyer në simbol të botës intelektuale, përparimit dhe aksesit në dije. Auditorët e tij kanë formuar breza të tërë studentësh, italianë dhe të huaj, duke kontribuar në zhvillimin e mendimit kritik, në ndërtimin e qytetarisë dhe në përhapjen e dijes si një e mirë publike.

Në këtë aspekt ka një domethënie të thellë emërtimi i një salle universitare me emrin “Ilaria Sula”, studentes së shkëlqyer dhe plot jetë, bijë emigrantësh shqiptarë. Prindërit e saj, të ardhur nga një fshati i vogël Çermë e Sipërme, pranë Lushnjës, lanë Shqipërinë në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, duke marrë me vete guximin, dinjitetin dhe shpresën e atyre që i besojnë të panjohurës për të ofruar një jetë më të drejtë për fëmijët e tyre.

E rritur në Itali, Ilaria bashkonte në vetvete dhe më së miri dy botë: rrënjët e thella të vendit të origjinës dhe mundësitë që ofronte Italia. Ajo përballoi me vendosmëri çdo pengesë, e ndërgjegjshme se arsimi ishte rruga për të shpërblyer sakrificat e prindërve të saj dhe për të ndërtuar vendin e saj në një botë më të mirë. Rruga universitare, e shënuar nga përkushtimi dhe pasioni, u ndërpre papritur nga kjo humbje tragjike, por shembulli i Ilarias vazhdon të jetojë.

Emërtimi i një salle me emrin e Ilaria Sulës nuk është vetëm një homazh për kujtimin e saj: është një akt simbolik me peshë. Është një njohje për të gjitha gratë që, si ajo, përballen me botën akademike me vendosmëri, duke kapërcyer barriera shoqërore, ekonomike dhe kulturore. Është mënyra përmes së cilës Universiteti nderon vlerën e brezave të dytë, fëmijë emigrantësh, pasurinë e diversitetit, forcën e heshtur të atyre që ndërtojnë ura mes historive të ndryshme.

Ky gjest dëshmon me forcë se dija nuk njeh kufij dhe se çdo student, pavarësisht nga prejardhja, ka të drejtë të ëndërrojë pa kufij. Në një kohë kur emigracioni trajtohet shpesh si numër apo kërcënim, kujtimi i Ilarias do të thotë humanizim i historive, duke u dhënë emër dhe dinjitet.

La Sapienza, përmes këtij simboli, rikonfirmon misionin e saj: të jetë një vend i dijes, por edhe i mikpritjes, kujtesës dhe së ardhmes. Sepse çdo sallë që mban një emër, nuk është vetëm një hapësirë fizike, por një simbol: i mundësisë, përfshirjes dhe luftës për një botë ku mësimi të mos jetë privilegj, por e drejtë. Dhe në këtë mënyrë, ndërmjet mureve të asaj salle që tani mban emrin e saj, do të vazhdojnë të jetojnë ëndrrat e Ilarias, ato të prindërve të saj, dhe ato të të gjitha grave që, si ajo, zgjedhin të besojnë në fuqinë e qytetërimit, pavarësisht dhimbjeve të mëdha, si kjo fatkeqësi, që ndodh të pësojnë.

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?