Grupi i personave që kryente falsifikimin e pasaportave dhe kartave të identitetit me qëllim largimin, në drejtim të Anglisë dhe vendeve të tjera të Europës,ka dalë sot përballë gjykatës së Apelit Tiranës, ku është njohur me masën e sigurisë.
Trupi gjykues i përbërë nga Gramoz Levanaj, Artur Gaxha dhe Flutura Skënderi, kanë vendosur të lenë të paprekur vendimin e shkallës së parë të gjykatës së Tiranës, e cila 4 nga 6 të arrestuarit i ka mbyllur në qeli. Ndërsa dy personat e tjerë si Enzo Hysko, punonjës në bashkinë e Tiranës dhe Valbona Badeni është caktuar masa e detyrimit për t'u paraqitur në prokurori. Sipas gjykatës së Apelit Tiranë, në burg do të vijojnë të qëndrojnë Lirim Shini dhe bashkëpunëtorët e tij Agron Hoxha, Henri Kurti dhe Myslym Hysko.
Gjashtë personat e proceduar penalisht u arrestuan nga policia e kryeqytetit në 3 mars 2020, me akuzën se kishin ngritur një laborator të mirëfilltë për falsifikimin e dokumenteve, pasaportave dhe kartave të identitetit. Laboratori i falsifikimeve, ishte vendosur në një apartament në pronësi të shtetasit Lirim Shimi, në zonën e ish-restorant Durrësit në Tiranë.
Hetimet për këtë grup kriminal kanë nisur në mars të vitit 2019 dhe gjatë mbledhjes së provave është dokumentuar fakti se ata kryenin falsifikimin e pasaportave, patentave kartave të identitetit, certifikatave profesionale diplomave shkollore, etj. Disa prej dokumenteve falsifikoheshin me qëllim udhëtimin e parregullt të shtetasve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian, duke paguar nga 1 deri në 5 mijë euro.