Laboratori i drogës në Fier, GJKKO rikonfimon masat 'arrest me burg' për 10 të arrestuarit! Porositësi i kokainës: S'kam pasur dijeni! Si u pikas ngarkesa (VIDEO)

26 Nëntor 2022, 09:52| Përditesimi: 26 Nëntor 2022, 12:49

  • Share

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka rikonfirmuar masat e sigurisë "arrest në burg" për 10 personat e arrestuar për laboratorin e Fierit. Zenel Çervenaku, i cili rezulton si personi që ka porositur plehun organik nga Kolumbia, ka pretenduar përpara trupës gjykuese të GJKKO-së se nuk ka pasur asnjë dijeni për sasinë e lëndës narkotike nëpër thasë. Sipas tij, ka bërë porosinë vetëm për pleh organik. Edhe të arrestuarit e tjerë kanë pretenduar se nuk kanë asnjë dijeni për aktivitet të paligjshëm.

Laboratori i drogës në Fier u zbulua dy ditë më parë, ku u sekuestrua edhe 430 kg kokainë, që nëse do të dilte në treg do të kushtonte 40 mln euro. Laboratori u zbulua, përmes një operacioni të DEA-s Amerikane në bashkëpunim me SPAK dhe policinë malazeze. Droga ishte fshehur në një ngarkesë me pleh kimik u porosit nga vëllai i ish-kryekomunarit të Frakullës, Viktor Çervanaku. Droga  u nis nga Kolumbia në maj dhe mbërriti në Shqipëri me kamion nga Mali i Zi në shtator. Në pranga ka rënë Zenel Çervenaku bashkë me 9 të tjerë, të akuzuar për “grup të strukturuar kriminal”, e ndërsa 1 tjetër është në kërkim

Gazetari i Report Tv Sokol Dema mëson se autoritetet doganore të Malit të Zi kanë pasur dijeni për mbërritjen e sasisë së plehut organik, i cili dyshohej të ishte i përzier me kokainë, të njoftuar nga partnerët ndërkombëtar. Pas mbërritje ata kanë kryer kontrollit fillestar dhe nuk është konstatuar kokaina dhe po ashtu nuk ka rezultuar të kapet as nga skaneri në port.

Pas kësaj, duke pasur dyshime të forta të përzierjes, në atë që konsiderohet si kokainë e dekompozuar, një mostër është marrë dhe është dërguar në laborator shkencor, nga ku ka rezultuar se kemi të bëjmë me sasi lënde plehu organik të përzier me kokainë. Pas rezultateve, autoritetet malazeze kanë njoftuar Policinë Shqiptare, e cila ka vënë menjëherë në dijeni SPAK.

Më tej, kjo e fundit bashkë me Byronë Kombëtare të Hetimit kanë krijuar të gjitha kushtet për finalizimin dhe dokumentimin e operacionit. Nga momenti i komunikimit me autoritetet malazeze, ku janë përfshirë në hetime shqiptarët, gjithçka ka qenë në monitorim dhe lëvizje të kontrolluara. Sasia e plehut organik që ka mbërritur në Shqipëri, është lëvizur në disa vende dhe qytete të ndryshme, duke përfunduar deri në destinacionin final në Frakull të Fierit.

Itinerari
Sasia me pleh-kimik ku ishin fshehur 430 kg kokainë është ngarkuar në muajin maj 2022 në kontejner në Kolumbi dhe nëpërmjet një anije transporti është nisur për në portin e Pireut/Greqi ku ka mbërritur në fillim të korrikut 2022. Prej andej me anije transporti pas 3 ditësh është dërguar në portin e Tivarit të Malit të Zi dhe në Shqipëri është transportuar me kamion në muajin shtator 2022.

Gjatë gjithë kohës, kjo ngarkesë është mbajtur 24 orë nën vëzhgim nga autoritetet. Kjo me qëllim identifikimin e plotë të bashkëpunëtorëve, të cilët kanë marrë pjesë në përgatitjen e dokumentacionit rreth hapjes në Shqipëri të kompanisë që do realizonte transportimin dhe marrjen në dorëzim të "ngarkesës" brenda të cilës dyshohej se është përzier lënda narkotike e llojit kokainë, pagesat e realizuara për blerjen, transportimin dhe zhdoganimin e saj, personat që do kujdeseshin për pritjen dhe marrjen në dorëzim të ngarkesës në Shqipëri, personat që do kujdeseshin për mbajtjen, magazinimin dhe ekstraktimin e lëndës së dyshuar narkotike nga sasia me "pleh-organik", dhe kush ishin personat e specializuar që do mundësonin kryerjen e këtij procesi.

Nga vëzhgimi ka rezultuar se droga ishte zhvendosur në ambiente të ndryshme në Shqipëri, nga ku dje (24 nëntor) është bërë i mundur edhe sekuestrimi i saj në Frakull e Madhe në Fier. Në total janë kontrolluar 14 ambiente në Tiranë, Lushnje, Fier dhe 10 në pranga, 1 në kërkim.

Çervanaku hapi kompaninë e tregtimit të plehrave kimike 5 muaj para se të nisej kokaina nga Kolumbia
Për të porositur drogën nga Kolumbia, Zenel Çervanaku i kishte marrë masat që në krye të herët. Në 19 janar 2022, pra 5 muaj para se të ngarkohet droga në Kolumbi, Çervanaku hapi edhe një kompani që merret me tregtimin të plehrave kimike. Ky detaj ndihmon për të kuptuar arsyen se përse sasia e kokainës ishte e fshehur në thasë me plehra kimik. Siç bëhet e ditur, droga ishte fshehur në 20 paleta me rreth 24 ton "pleh kimik". Në skanerin e Portit të Tivarit, sasia e ngarkesës me pleh kimik, doli e pastër, mirëpo pas dyshimeve, u bë kontrolli fizik ku u zbulua droga, por u la të shkonte në destinacionin përfundimtar për të shkuar deri te porositësi.

Kush janë të arrestuarit
Të arrestuar për laboratorin e kokainës në Frakull të Fierit, por një pjesë e tyre janë jo pak të njohur për opinionin publik dhe policinë.  Përveç Zenel  dhe Viktor Çervanaku, i cili më herët ka mbajtur detyrën e kreut të komunës, djali i tij Denilson Çervanaku, i arrestua bashkë më të fejuarën, Enxhi Ferhati, ka qenë futbollist. 25-vjeçari më së shumti ka qenë pjesë e ekipit të Dinamos, Olimpikut. Karrierën në sport e ka nisur në vitin 2013 dhe e ka mbyllur në vitin 2017 ndërsa gjatë këtyre viteve ka shënuar vetëm 2 gola.

Klajdi Kodra i njohur edhe me mbiemrin Vrioni ka qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, atentate dhe plagosje. Ai është djali i ish-qitëses së mirënjohur shqiptare, Lindita Kodra. Një ditë më parë u arrestua në Tiranë pasi u kap bashkë me 3 të tjerë me armë në makinën tip ‘Range Rover’, bashkë me Redion Meshin dhe Bledar Matoshin. Ngjarja e fundit kriminale si i përfshirë është ajo e 27 majit 2021 ku plagosi me armë zjarri 19-vjeçarin Reginaldo Kaçorri. Në gusht të 2017, Kodra u arrestua si bashkëpunëtor në atentatin ndaj Lorenc Hoxhës, i cili mbeti po ashtu i plagosur në konfliktin e nisur për hasmëri. Në vitin 2010, rezulton i përfshirë në një plagosje të dyfishtë, në rrugën “Vasil Shanto”. Të plagosur asokohe mbetën dy vëllezër, Klajdi dhe Roland Çeço, 25 dhe 27 vjeç. Në vitin 2016, me dy të tjerë, Kodra plagosi duke e goditur në fytyrë dhe në pjesë të tjera të trupit me sende të forta Flamur Cullhajn. Gjatë konfliktit pati edhe të shtëna me armë në ajër. Ndërkohë, në vitin 2013, në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës, Klajdi Kodra u qëllua me plumb në këmbë, pas një konflikti të çastit. Gjithashtu në pranga ka rënë edhe Nikolen Gjelona, personi i cili është arrestuar në rolin e financuesit.

Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 15,910 Euro; 3 armë zjarri automatik kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celulare; 5 automjete; 2 laptop dhe 2 armë gjahu. 

Të arrestuarit:

Viktor Çervenaku
Zenel Çervenaku
Denilson Çervinaku
Enxhi Ferhati
Nikolin Gjolena
Klajdi Vrioni
Julian Malaj
Redion Meshi
Bledar Matoshi
Marildo Rona

Ora 18:29
E përfshirë në laboratorin e kokainës në Fier, kush është Enxhi Ferhati, vajza e të fortit të rrugës së Kavajës

1669454313_1669381451finalprojekt.00274623.Still004.jpg

Enxhi Ferhati, e cila u vu në pranga si e përfshirë në laboratorin e kokainës në Frakull të Fierit është vajza e Genc Ferhatit, i njohur si i forti i rrugës së Kavajës. Enxhi Ferhati është e fejuara e Denilson Çervanakut, djali i kreut të Komunës së Frakullit, Viktor Çervanaku.

Ndërsa Genc Ferhati ka qenë ndër emrat e njohur të botës së krimit në vitet 1997-2000. Ishte koha kur rivaliteti i bandave të djemve të rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit, për të kontrolluar territorin e shpërndarjes së heroinës dhe kokainës ishte në kulm.

Që nga vrasja e Ginës dhe Shehut, jeta e tij u lidh me qelitë e burgjeve 302 dhe 313. Edhe gjatë kësaj kohe, sipas gardianëve të burgut, qëndrimi i Ferhatit në qeli i akuzuar për një nga atentatet më të rënda dhe më spektakolare, qe e lidhur me praktikimin e fesë islame në burg. Madje ai përshkruhej si një njeri që njihte mjaft mirë islamin si besim.

Ora 14:14
Laboratori i drogës në Fier, Petro Koçi: SPAK të mos bëjë asnjë hap pas në goditjen e krimit

Deputeti socialist Petro Koçi ka reaguar pas zbulimit të laboratorit të kokainës në Fier. Koçi i bën thirrje SPAK që të mos bëjë asnjë hap pas në goditje e krimit

“E përshëndes goditjen e fundit të SPAK ndaj trafikut të drogës. PS Fier inkurajon çdo veprim të vendosur të agjencive ligjzbatuese ndaj krimit të organizuar. Bashkëpunimi me institucionet homologe të partnerëve mbetet jetik për suksesin e luftës ndaj trafikut të drogës. I shpreh mirënjohje të thellë çdo agjencie të huaj që u investua në suksesin e këtij operacioni të kombinuar.

Komuniteti fierak ndihet i lehtësuar dhe me optimist pas sukseseve të tilla. Por mbetet akoma shumë për të bërë. PS kërkon që SPAK të mos bëjë asnjë hap mbrapa në përballjen me krimin e organizuar në Fier e kudo. PS nuk është strehë e askujt që përfshihet në korrupsion dhe krim. Krimi ka vetëm ngjyre te zezë”, shkruan Petro Koçi.

Ora 11:53
Laboratori i drogës në Fier, GJKKO rikonfimon masat arrest me burg për 10 të arrestuarit! Porositësi i kokainës: S'kam pasur dijeni

 

Gjykata e Posaçme ka rikonfirmuar masat e sigurisë "arrest në burg" për 10 personat e arrestuar për laboratorin e Fierit. Personi që e ka porositur plehun organik nga Kolumbia, Zenel Çervenaku, ka pretenduar se nuk ka pasur asnjë dijeni për sasinë e lëndës narkotike nëpër thasë. Sipas tij, ka bërë porosinë vetëm për pleh organik. Edhe personat e tjerë kanë patur qëndrim mohues para gjykatës dhe nuk kanë pretenduar se nuk kanë asnjë dijeni për aktivitet të paligjshëm.

Ndërkohë, në seancë avokatët mbrojtës kanë pretenduar se në banesën ku janë gjetur thasët e plehut, nuk kemi të bëjmë me laborator teksa kanë thënë se nuk kanë akt-ekspertim që të vërtetoj se brenda plehut ka kokainë. Përveç 10 personave të arrestuar, në kërkim janë edhe disa persona të tjerë.

Ora 10:13
Laboratori i drogës në Fier, zbulohet roli i kolumbianëve

10 persona kanë rënë në pranga pasi u zbulua laboratori i drogës në Fier, ndërsa është shpallur në kërkim kolumbiani Zaimir Rodrigez. Mësohet se roli i tij në labortaorin e drogës ishte që të bënte ndarjen e kokainës nga plehu kimik, bashkë me dy të tjerë, janë të specializuar për ta nxjerrë lëndën narkotike nga çdo përzierje tjetër, përfshi edhe nga rrobat.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?