LUSHNJE- Është zhvilluar ditën e sotme në Gjykatën e Shkallës së Parë në Lushnje seanca për masën e arrestit nga tre personave të arrestuar pak ditë më parë për kultivimin e lëndëve narkotike në një ish-karburant në vendin e quajtur ‘Pushimi i Shoferit’ në Lushnje.
Gjyqtarja e çështjes, Saimira Hila, pasi dëgjoi akuzën dhe avokatët e tre personave vendosi masën ‘detyrim paraqitje’ për Mario Çelën, për Mestan Zoton vendosi masën elektricist vendosi masën ‘arrest shtëpie’ dhe për Visli Liçin vendosi masën ‘arrest me burg’.
Kujtojmë se Mario Çela ishte i akuzuar për kultivim bimësh lëndësh narkotike, por sot i është ndryshuar aktakuza në ‘Moskallëzim krimi’, pasi Çela punonte si gomist në afërsi të objektit. Ndërsa për elektriçistit është ngritur akuza e ‘shpërdorimit të detyrës’. Sipas avokatëve të tyre ato do të apelojnë për masën e dhënë arrest shtëpie për Mestan Zoton dhe ‘arrest me burg’ për Visli Liçin.
Ervin Rista, ishte pronari dhe organizatori i laboratorit të drogës në Lushnje, i përshtatur në një godinë karburanti që ishte lënë jashtë përdorimit që nga 2004. 45-vjeçari, banues në Tiranë është shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Krutja”, pasi kishte përshtatur këtë godinë në një laborator për kultivimin e kanabisit nëpërmjet ngrohjes me llamba, ndërkohë që në kërkim janë edhe 2 bashkëpunëtorët e tij, Lirim Serdani 54 vjeç dhe Igli Borova 27 vjeç të dy banues në Fier.
Report TV solli pamje nga ky laborator në zonën e njohur si 'Pushimi i Shoferit' në Lushnje jo shumë larg autostradës, ku u gjetën pajisje elektrike që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike dhe fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në kushte laboratorike, të cilët janë sekuestruar nga policia, e ndërsa në shtëpinë e një prej personave të shpallur në kërkim, më konkretisht Lirim Serdani u gjetën disa fishekë.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, "Shpërdorim detyre", “Vjedhja e energjisë elektrike" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak".