EKSKLUZIVE/ Laboratori i kokainës në Xibrakë, Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin e Ermal Hoxhës për pafajësi

28 Nëntor 2023, 17:01| Përditesimi: 28 Nëntor 2023, 21:27

  • Share

Tirane- Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e tre të akuzuarve të dosjes së njohur me emrin “Xibraka”, mes të cilëve edhe nipi i diktatorit Hoxha, Ermal Hoxha, që kërkonin prishjen e vendimit të Apelit të Krimeve të Rënda që i shpalli fajtor për trafik droge. Kërkesa e depozituar pesë vjet më parë, u shqyrtua në dhomë këshillimi nga një trupë me relator gjyqtarin Sokol Binaj, që ka vendosur mospranim duke lënë në fuqi vendimin e Apelit.

Nëntë të pandehurit e dosjes Xibraka, përfshi edhe dy shtetas kolumbiane, u deklaruan fajtorë nga Krimet e Rënda dhe u dënuan me 104 vite burg në total.

Apeli i Krimeve të Rënda dënoi, Ermal Hoxhën me 6 vjet e 8 muaj; Ilir Hysenin me 8 vjet; kolumbianët Cesar Avila me 8 vjet; Valter Moreno me 8 vjet; Gentian Gjonajn me 7 vite e 8 muaj; Kelmend Dalipin 7 vite e 4 muaj; Sajmir Batkun me 8 vite e 8 muaj; Arjan Dalipin me 7 vite e 4 muaj si dhe Genci Xhixhan me 8 vjet e 8 muaj, ky i fundit u dënua në mungesë.

Grupi i drogës "Xibraka" u zbulua në janar të vitit 2015, gjatë një operacioni të policisë të asistuar nga agjentë të policisë gjermane, ku u sekuestrua sasia rekord e kokainës prej 100 kg. Droga u gjet në një magazinë në fshatin Xibrakë 10 km larg qytetit të Elbasanit. Tetë persona u arrestuan brenda dhe pranë magazinës së drogës, mes tyre dhe kreu i grupit Sajmir Batku, nipi ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha dhe dy shtetas kolumbianë.

Në kërkim u shpall Genci Xhixha, i cili njihet si kreu i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të kokainës në Europë dhe më gjerë. Hetimet nisën pas informacionit të përcjellë nga autoritetet gjermane që në datën 17.12.2014, për trafik kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?