TIRANË- Shqipëria për të parën herë futet në rrjetin e monitorimit përsa i përket identifikimit të Sars-Cov2 në ujërat e ndotura, duke çelur sot laboratorin e parë të identifikimit të hershëm të viruseve nëpërmjet survejancës mjedisore, me impakt në shëndetin publik. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf dhe ekspertë të fushës, morën pjesë në ceremoninë e organizuar për hapjen e laboratorit të ri, në mjediset e Universitetit Bujqësor të Tiranës.
“Shqipëria për të parën herë futet në rrjetin e monitorimit përsa i përket identifikimit të Sars-CoV2 në ujërat e ndotura. Një laborator i ri, i cili do të na japë një sinjalizim më të shpejtë, një vlerësim përsa i përket situatës së ecurisë së post-pandemisë dhe do të na vendosë në të njejtin pozicion si të gjitha ato vende që sot e kanë këtë laborator, duke krijuar mundësinë për të vlerësuar një element të rëndësishëm në të gjithë sistemin e survejancës aktive, që është pikërisht monitorimi i ujërave të ndotur për praninë e Sars-Cov2. Ky laborator do të bëjë të mundur edhe monitorimin e shumë viruesve të tjera. Do të bëjë të mundur gjithashtu monitorimin përsa i përket një tjetër fushe që ne jemi duke bashkëvepruar dhe bashkëpunuar në kuadër të sistemit të alertit për antibiotiko-rezistencën. Ne sot do të kemi mundësi të zgjerojmë gamën e analizave mikrobike dhe gjenetike, në funksion të përmirësimit të shëndetit të popullatës me qasjen “one health”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri me dije se janë duke u fuqizuar kapacitetet e Institutit të Shëndetit Publik për përgjigjen ndaj emergjencave.
“Ne jemi duke forcuar kapacitetet e Institutit të Shëndetit Publik për fuqizimin e laboratorit të virologjisë, mikrobiologjisë. Për të parën herë Shqipëria do të ketë edhe një aparaturë të re në lidhje me sekuencimin genomic, pra një tjetër fuqizim i kapaciteteve tona në funksion të rritjes së evidencës shkencore, përsa i përket të gjithë evidencës së viruseve, varianteve, nënvarianteve, e cila do të bëjë të mundur përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe mbi të gjitha edhe zgjerimin e portofilit të kërkimit shkencor në Institutin e Shëndetit Publik por edhe më gjerë”, tha Manastirliu.
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri u shpreh: “Se sa i rëndësishëm është dhe do të jetë në të ardhmen për Shqipërinë ky sistem i paralajmërimit të hershëm, e shohim aktualisht në shpërthimin e poliomielitit në Nju Jork, Izrael dhe Londër, ku virusi u zbulua në ujërat e zeza dhe krijoi alarm për masa kundërvepruese. Tani Shqipëria, me këtë laborator të ri dhe sistemin e paralajmërimit të hershëm mund të jetë pjesë e sistemit global të mbikëqyrjes shëndetësore dhe mund të kontribuojë në monitorimin global të pandemive”, tha Ambasadori Peter Zingraf.
Me fonde të Qeverisë Gjermane, Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ, së bashku me DVGË-Technologie Zentrum Ëasser, Karlsruhe dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës kanë vënë në funksion për herë të parë një laborator për analizimin e ujërave të ndotura për SARS-CoV-2 në Shqipëri. Përmes këtij laboratori do të kryhen analizat biologjike molekulare që do të shërbejnë si bazë për “Sistemin e Paralajmërimit të Hershëm” ndaj SARS-CoV-2 dhe viruseve të tjera.
Shqipëria me këtë laborator të ri të “Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm” mund të jetë pjesë e sistemit global të mbikëqyrjes shëndetësore dhe mund të kontribuojë në monitorimin global të pandemive.