TIRANË- Ylli dhe Pjerin Brahimaj, babë e bir, të arrestuar një ditë më parë nga Antitrafiqet e Tiranës, kishin krijuar një dhomë të fshehtë në banesën e tyre për të ngritur një laborator të tërë të prodhimit të pasaportave, kartave të identitetit, patentave, e deri te çertifikatat e pronësisë, të gjitha false.
Për të hyrë në dhomën e fshehtë të prodhimit në banesën që e kishin në zonën e Tufinës, në rrugën “Myslym Keta” në kryeqytet, ata ndërtuan një mekanizëm të sofistikuar për hapjen e derës. Gjatë kontrollit në banesë, policia, e cila nuk ishte në dijeni të mekanizmit, shpërtheu derën hyrëse, e inkorporuar në dollapin e rrobave.
Më pas u zbulua sistemi inteligjent që përdorej për të hyrë dhe dalë në laborator. Pranë derës ndodhej një çelës normal dritash dhe një prizë. Që dera të hapej, duhej që në prizë të futej një karikues i thjeshtë celulari dhe mjaftonte të shtypej çelësi, dhe dera e fshehtë hapej.
Report Tv ka siguruar një foto të këtij mekanizmi, i cili u jepte mundësinë Brahimajve të punonin në fshehtësi pa u marrë vesh nga askush. Ylli Brahimaj e bënte këtë aktivitet gjatë kohës që ishte në masë “arresti shtëpie” nga SPAK, për po të njëjtat vepra penale.
Burime pranë policisë thonë se laboratori i grupit i zbulohet për herë të parë, duke kompletuar në këtë mënyrë me prova shtesë edhe procedimin penal të SPAK. Në hetim nga Antitrafiqet u mor edhe një 62-vjeçar, i cili jo shumë larg shtëpisë ku ishte ngritur laboratori, kishte një studio grafike, ku babë e bir bënin modifikimin e fotove dhe formularëve për t’i falsifikuar.
Pjesa më e madhe e dokumenteve false që u gjetën ishin greke, italiane dhe amerikane, përfshirë edhe një sasi parash, po ashtu prodhim fals. Gjatë kontrollit në banesë, forcat e rendit sekuestruan dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe pajisje që shërbenin për realizimin e këtij aktiviteti kriminal. Sipas të dhënave të hetimeve, një pasaportë false me shtetësi të huaj shitej nga 15 mijë deri në 20 mijë euro. Këto dokumente më pas përdoreshin për kalime të paligjshme drejt vendeve të Bashkimit Evropian apo edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Brahimaj e vazhdonte aktivitetin kriminal edhe pse ishte në arrest shtëpie po për të njëjtat vepra penale. Vetëm një muaj më parë, 5 qershor, dosja e grupit të Brahimajt është dërguar për gjykim nga SPAK me 37 të pandehur. Brahimi me anëtarët e tjerë të grupit akuzohen për trafik emigrantësh dhe gjatë viteve 2022-2024 kanë mundësuar kalimin e paligjshëm të shqiptarë në rrugë tokësore, ajrore dhe detare drejt Mbretërisë së Bashkuar, SHBA dhe Kanadasë, ndërsa aksoni për goditjen e këtij grupi u mor në qershor 2024.
.jpg)
Mekanizmi i përdorur për hapjen e derës së laboratorit
Komente

Përse duhet ti japësh arest shtëpie....sa kanë paguar për të marë këtë masë....korrupsioni në drejtësi është i dukshëm...
Përgjigju