Laçi është finalisti i Kupës së Shqipërisë për herë të katërt në historinë e futbollit shqiptar. Kurbinasve u ka mjaftuar barazimi 1-1 në fushën e Kukësit për të siguruar pjesëmarrjen në finalen e majit, ku do të kërkojnë trofeun dhe pjesëmarrjen në Euopa League në sezonin e ardhshëm.
Në vajtje asnjë gol, gjithçka e hapur, por i zakonshmi Guri në minutën e 20-të fitoi penallti, e qartë, dhe nuk gaboi.
Kukësi administroi mirë ndeshjen në pjesën e parë, por në të dytën Laçi ndryshoi fytyrë. Trajneri Mezani e spostoi ekipin përpara, Rexhinaldo goditi shtyllën dhe dha sinjalin e madh, sepse vetë afrikani shënoi golin e barazimit 11 minuta para fundit.
Tension në fund, presion i Kukësit, por asnjë gol. Laçi me meritë në finale, ku pret Flamurtarin ose Skënderbeun. U bënë disa vite që Laçi mahnit në Kupë, duke kapur finalen e duke fituar edhe trofeun, ndaj ky sukses nuk është rastësi.
Kukësi – Laçi 1-1
Guri 20′ (11-m) / Rexhinaldo 79′
Kukësi: Frashëri, Zhderiç, Hoxha, Alla, Imami, Idrizi, Dzaria, Musolli, Kale (Ethemi 78′), Shkodra, Guri. Trajner: Peter Pacult.
Laçi: Selmani, Shtubina, Qaqi, Gjoni, Sefgjinaj, Jonuzi, Lulaj (Lushkja 27′), Nika, Kallaku, Uzuni, Rexhinaldo. Trajner: Gentjan Mezani.
Kartonë të verdhë: Musolli 18′, Kale 58′ / Selmani 19′, Qaqi 40′, Shtubina 75′, Nika 85′, Uzuni 90′
Gjyqtarë: Eldorjan Hamiti, Ridiger Çokaj, Denis Rexha, Enea Pashaj;