Chris LaCivita duke dhënë virtualisht porositë e fundit për kandidatët e PD-së

Politikë

LaCivita ndjek fushatën e PD virtualisht nga SHBA dhe jep porositë e fundit për kandidatët: Luftoni për çdo votë! Rama, i paqendrueshëm si Biden

1 Maj, 15:11| Përditesimi: 1 Maj, 15:16

  • Share

Partia Demokratike dhe aleatët e saj të koalicionit ADSHM ka zhvilluar një konferencë me “korespondencë” në Zoom me “strategun” e saj të fushatës elektorale Chris LaCivita, i cili është larguar prej shumë ditësh nga Shqipëria, qëkur u shfaq në hapje të fushatës për zgjedhjet e 11 majit.

Ai u ka dhënë orientimet kandidatëve të opozitës për 10 ditëshin e fundit të fushatës, duke këmbëngulur që të luftohet deri në orën e fundit dhe të mos i besohet sondazheve, të cilat i quajti “shtetërore” dhe “të rreme”, duke hequr paralele edhe me situatën në SHBA.

Por dukshëm LaCivita nuk u ka shpjeguar dot kandidatëve të ADSHM-së pse duhej që këto porosi të jepeshin virtualisht dhe jo me prezencë fizike.

“Çështjet kryesore për të cilat kemi folur në këtë fushatë janë ato që kanë të bëjnë me të ardhmen e Shqipërisë: ekonomia, mirëqenia, dhe kostoja e jetesës. Të gjitha këto janë çështjet më të rëndësishme për qytetarët dhe do të jenë ato që do të vendosin rezultatin e zgjedhjeve. Është shumë e rëndësishme që në këto ditët e fundit të fushatës t’i tregojmë qytetarëve se kush është përgjegjës për gjendjen e mjerueshme ekonomike dhe mungesën e mundësive në Shqipëri. Është vetëm një person: Edi Rama”, u tha ai nga lidhja në Zoom kandidatëve, duke dhënë porositë e fundit.

Ai hoqi paralele edhe mes ish-presidentit Joe Biden dhe kryeministrit Edi Rama, duke i quajtur “të paqëndrueshëm”, por që sipas dinamikës së fushatës, “gafat elektorale” po i bën kreu i PD-së, Sali Berisha.

“Do të filloj me ngjashmëritë mes Edi Ramës dhe Joe Biden. Që të dy janë të paqëndrueshëm. Që të dy e kanë shkatërruar ekonominë. Dhe të dy do të humbasin në ditën e zgjedhjeve. Votuesit e pavendosur janë ata që, në këtë moment, do të vendosin fatin e zgjedhjeve. Është thelbësore t’u flasim atyre dhe t’u shpjegojmë se si ekonomia dhe dështimi i Edi Ramës gjatë 12 viteve të fundit i ka ndikuar. Shpjegojani atyre. Tregojani atyre”, tha konsulenti amerikan i PD-së, që ende nuk e ka bërë transparente kontratën që ka me selinë blu dhe pagesën.

Ai u tha kandidatëve se tani “ka një ndërgjegjësim edhe në Shtetet e Bashkuara për zgjedhjet që po vijnë në Shqipëri” dhe kërkoi që të luftonin për çdo votë.

Ai porositi kandidatët që:

“Çdo kandidat, në këto 10 ditët e fundit, duhet të trokasë në derën e çdo qytetari që jeton në zonën e vet. Ju mund t’ju premtoj ju që kontakti derë më derë, person më person, është mënyra më efektive për të bindur dikë të votojë për ju. Mos ndaloni së punuari deri në momentin kur mbyllen qendrat e votimit. Duhet të përfitoni nga çdo orë e mbetur. Mos ndaloni së punuari deri sa të mbyllen kutitë e votimit. Ju duhet të përfitoni nga çdo minutë të vlefshme që ju ka mbetur.  Ju duhet të luftoni, duhet të tregoheni të merrni pjesë në zgjedhje, dhe nëse e bëni këtë, do të fitoni! Ju uroj shumë fat!”, u shpreh LaCivita mes të tjerash.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, sa respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?