Lady Gaga do të ngjitet në skenën e Grammy-t, bashkë me Bruno Marsin në një homazh për Los Anxhelosin, i cili në fillim të janarit u përfshi nga disa zjarre ku humbën jetën shumë njerëz dhe qindra shtëpi u dogjën.
Thashethemet se Gaga ishte në negociata për të performuar në Grammy qarkullonin prej ditësh dhe Akademia e Regjistrimit më në fund konfirmoi të premten se ajo dhe Mars do t’ia kushtonin performancën e tyre qytetit dhe njerëzve të prekur nga zjarret e fundit.
Paraqitja e tyre në skenën e Grammy-t vjen pasi dyshja janë në garë për dy çmime për këngën e tyre Die With a Smile - në kategoritë Kënga e Vitit dhe Performanca më e mirë Pop Duo/Grup.
Kënga, e publikuar në gusht 2024, pati një sukses të madh, duke kaluar në krye të platformave të transmetimit dhe duke arritur numrin 1 në Billboard Hot 100 në fillim të vitit. Deri më tani, ajo ka qëndruar në krye të top-listave për katër javë rresht në vitin 2025.
Pak orë para se të konfirmohej performanca e saj në Grammy, Gaga dha një koncert special në FireAid, një ngjarje e mbajtur në Los Anxhelos për të mbledhur para për të prekurit nga zjarret shkatërruese. Ylli i popit e mbylli natën me tre këngë: Shallow dhe Always Remember Us This Way, si dhe një këngë krejt të re të titulluar All I Need Is Time. Ajo e shkroi këtë pjesë të veçantë me të fejuarin e saj, Michael Polansky, posaçërisht për këtë situatë
“Kur po mendoja se çfarë të këndoja sonte, doja diçka që do t’ju jepte shpresë. Mendova për këngët e mia, por asnjëra nuk më dukej e drejtë. Pra, unë dhe Michael, i fejuari im, e kemi shkruar këtë këngë për ju. Është vetëm për sonte, vetëm për ju. Unë mendoj se ne të gjithë kemi nevojë për shumë gjëra tani, por diçka që mund të na duhet gjithashtu është koha", tha artistja.
Komente
