BERAT- Lagja e ish-pjeshkores në Uznore, në Berat është nën “pushtetin” e plehrave, duke u bërë kështu një shqetësim për banorët e zonës të cilët janë të revoltuar.
Sipas tyre, lagja periferike e qytetit të “një mijë e një dritareve”, është katandisur kështu nga personat e Komunitetit Rom që hedhin pa kriter në rrugë plehra, sende të vjetra dhe djegin rroba.
Banorët në këto kushte të vështira higjenike, shprehen se nuk hapin dot as dritaren pasi era e keqe “kaplon” shtëpinë.
Ata të revoltuar lidhur me situatën, i kanë bërë thirrje Bashkisë të marri masa në mënyrë që kjo situatë të marrë fund.
“Ne si banore i bëjmë thirrje Bashkisë dhe firmës së pastrimit te marri masa për të pastruar plehrat sepse janë rrezik epidemi, jemi të sëmurë me tension diabet, jemi shume te rrezikuar prandaj i bëjmë thirrje Bashkisë të marrë masa për pastrimin e tyre.”, tha njëri prej tyre,
“Këto po bëjnë gat 1 muaj këtu, i hedhin këtu. Kazanët e plehrave janë në rregull, vijnë Bashkia i pastron, këta përtojnë të ecin 2 minuta t’i hedhin në ato dhe i lënë në rrugë. Ato lëshojnë erë të keqe.”, tha një tjetër,
Me këtë rast, ata kanë treguar për mikrofonin e Report Tv, edhe lidhur me një shqetësim tjetër, ndriçim në rrugë, i cili mungon në këtë rrugë.