Lajçak në Beograd: Bisedova me Vuçiçin për kthimin në dialog! Presidenti serb: Komuniteti ndërkombëtar të angazhohet për të ulur tensionet

5 Korrik 2023, 18:43| Përditesimi: 5 Korrik 2023, 18:47

  • Share

1688575612_miroslavlajcakaleksandervucic.JPG

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është takuar në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, emisari evropian tha se takimi me Vuçiçin dhe udhëtimi "ndihmuan për të qartësuar hapat e ardhshëm".

"Ne zhvilluam një bisedë të sinqertë dhe të hapur për rrugën përpara, duke përfshirë nevojën për zgjedhje të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthimin në dialog", shkroi Lajçak.

Vuçiq tha përmes një postimi në Instagram se me emisarin evropian ka biseduar për situatën në Kosovë, për mënyrat se si të ulen tensionet në terren dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja.

“I kam bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të angazhohet në mënyrë më konkrete për të gjitha këto çështje”, tha Vuçiç.

Lajçak po qëndron në Beograd një ditë pasi vizitoi Prishtinën ku u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit me Kurtin, Lajçak deklaroi se ka mirëkuptim për të çuar përpara kërkesat e BE-së, por se “ende duhet të vazhdojmë diskutimet për hapa konkretë”./REL


Lajmi kryesor:

Pas Kurtit, Lajçak takon Vuçiç në Beograd: E paralajmërova se populli serb është torturuar në 15 vitet e fundit në Kosovë


  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?