I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se takimi i tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kishte përmbushur pritshmëritë dhe shtoi se palët duhet të pajtohen edhe për Aneksin e zbatimit përndryshe marrëveshja s’do të mund të jetë e detyrueshme.
Ai tha se pas takimit me Kurtin, e di shumë mirë se cilat janë pritshmëritë e Kosovës dhe e vlerësoi bisedën me kreun e qeverisë si shumë të rëndësishme.
”Ne duhet të pajtohemi se si duhet të implementohet. Përndryshe nuk do të jetë obligative. Patëm një bisedë konstrutkive dhe shumë të rëndësishme me Kurtin. Gjithashtu takova edhe presidenten. Qëllimi kryesor i këtij takimi është se si Kosova e sheh implementimin. Ky takim përmbushi pritjet e mia në këtë kontekst”, u shpreh Lajcak.
Mes të tjerash, Lajçak zbuloi se të hënën dhe të martën do të jetë në Beograd për të parë se cilat janë pikëpamjet e Serbisë mbi marrëveshjen që palët pritet të nënshkruajnë në 18 mars në takimin që do të mbajnë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
“Do të jem edhe në Beograd të hënën dhe të martën për të parë se si Serbia e sheh këtë punë. Pastaj shpresojmë se do të jemi në gjendje të kemi një letër, një dokument për të cilin do të pajtohemi me datën 18 në Ohër. Është e pamundur që në këtë moment të them shumë. Takimet do të vazhdojnë”, ka shtuar Lajcak.
I dërguari special i BE-së tha se pas dakokrdësimit mes dy palëve, pritet të përfundohet edhe procesi i finalizimit të marrëveshjes.
Lajmi kryesor:
Kurti takim me Lajçak: I gatshëm të nënshkruaj marrëveshjen me Serbinë në takimin e Ohrit
B.V//ReportTv.al