Mirosllav Lajçak dhe Vjosa Osmani, gjatë takimit në Nju Jork

Lajçak takohet me Osmanin në Nju Jork: I çmoj rekomandimet e presidentes së Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit!

28 Shtator, 13:40| Përditesimi: 28 Shtator, 15:42

  • Share

Nju Jork- I dërguari i posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se i vlerëson mendimet dhe rekomandimet e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për mënyrën se si Kosova dhe Serbia duhet ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes vete.

Ai tha se u takua me presidenten Osmani në Nju Jork (sot, 28 Shtator), për të diskutuar për gjendjen e tanishme në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak, megjithatë, nuk shpjegoi se cilat ishin mendimet apo rekomandimet e Osmanit për zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja.

Si Osmani, ashtu edhe Lajçak, qëndruan në SHBA këtë javë, ku liderët botërorë u mblodhën për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Emisari evropian u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Nju Jork, ku së bashku me të dhe me Ndihmëssekretarin Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, diskutuan për dialogun.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në Bruksel për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe pastaj Aneksin për zbatimin e saj në Ohër në fillim të vitit 2023.

Ajo ka mbetur e pazbatuar prej atëherë, megjithatë, edhe pse Bashkimi Evropian thotë se marrëveshja është detyrim për të dyja palët.

Kosova ngul këmbë që kjo marrëveshje të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është e detyrueshme pavarësisht nënshkrimit, ndërsa Serbia ka shprehur rezerva për zbatimin e plotë të saj.

Marrëveshja e përbërë prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim të marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011. Ky proces mbështetet fuqishëm edhe nga SHBA-ja.

Rishtazi, SHBA-ja u ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të marrin seriozisht dialogun për normalizimin e raporteve.

Rundet e dialogut rishtazi në nivel të kryenegociatorëve nuk kanë dhënë rezultate konkrete, derisa në atë më të fundit më 17 shtator, kryenegociatorët nuk zhvilluan takim trepalësh për shkak të mospajtimeve që kishin për temat e diskutimit.

Ndërsa, rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë politik midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u mbajt shtatorin e vitit të kaluar. /REL/

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?