Lihen në burg babë e bir për vrasjen e 'informatorit' të policisë, detaji i ri i zbuluar në gjyq

10 Shtator 2018, 14:26| Përditesimi: 10 Shtator 2018, 16:47

  • Share

Gjykata e Gjirokastrës jep masën 'arrest me burg' për babë e bir, Hetem Muho, 59 vjeç dhe Dino Muho, 20 vjeç të arrestuar për vrasjen e 43-vjeçarit nga fshati Rabije, Alket Muho, i cili njihej edhe si personi që kishte denoncuar disa herë në polici për parcelat me kanabis që lulëzonin afër fshatit ku banonte.

Gazetari Piro Nase raporton për Shqiptarja.com dhe Report Tv se edhe sot në sallën e gjyqit të dy, si babai dhe djali mohuan akuzat dhe thanë se ndodheshin rastësisht në fshatin Rabije.

“Pavarësisht konflikteve të mëparshme, me të kemi pasur raporte si me të gjithë banorët e tjerë të fshatit”, kanë thënë ata në gjykatë duke mohuar të kenë lidhje me vrasjen.

Në sallën e gjyqit u zbulua edhe një detaj tjetër nga konflikti mes fqinjëve. Pak kohë më parë viktima Alket Muho kishte qëlluar me sëpatë autorin e dyshuar Dino Muho, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kokë.

KONFLIKTI PER TOKËN

Dy vjet më parë ata kanë paditur në Gjykatën e Gjirokastrës viktimën për tokat që sipas tyre nuk ishin të tijat.  Hetem Muho pretendonte që viktima i kishte falsifikuar dokumentet e pronave, ndërkohë që 43-vjeçari pretendonte që  e kishte e fituar tokë me ligjin 7501. Mësohet gjithashtu se ishte vetë Hetem Muho ai që e pushoi çështjen në gjyq në mënyrë të njëanshme për arsye ende të panjohura.

Në një intervistë për ‘Report Tv’, një ditë pas vrasjes së 43-vjeçarit, babai dhe vjehrri i viktimës kanë folur për Report Tv, duke hedhur dritë mbi rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë. Gjolek Muho, babai i Alket Muhos, është shprehur se nuk e ka dijeninë përse është vrarë i biri. Ndërsa, Riza Ardita, vjehrri i viktimës, ka përjashtuar pistën e dekonspirimit nga policia pasi informoi për drogën. Vjehrri ka thënë se e di shumë mirë kush e ka vrarë 43-vjeçarin duke përmendur konflikte pronësie. Dyshime këto që përkojnë me ato të policisë.

Por kunati i viktimës, i cili do të mbetet anonim, dha një tjetër version ekskluzivisht për Report Tv disa orë para arrestimit të autorëve. Sipas tij, Muho prej një viti telefononte policinë për të treguar se në zonë mbillej kanabis, por vetëm kur iu drejtua Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në zonë erdhën policë për kontroll. I riu që jeton në Greqi thotë se në fshatin Rabije por edhe fshatra të tjerë mbillet masivisht kanabis që prej vitit 2016-të. Në një intervistë për Shqiptarja.com, ai është shprehur se prej një viti Muho dhe familja e tij jetonin me zhurmën e kallashnikovëve, të përdorur gjatë natës për të ruajtur parcelat e kanabisit.

NGJARJA 

Alket Muho, 43-vjeç, u vra me 7 plumba ditën e djeshme në orën 10:10 në fshatin Rabie të Memaliajt. Për vrasjen e tij, policia raportoi 12 orë me vonesë dhe vetëm pas dhënies së lajmit nga Report Tv. Fillimisht mbi vrasjen e të dyshuarit si informator i Policisë, u hodh pista se ai mund të ishte vrarë pasi informoi policinë në lidhje me parcelat e drogës në Tepelenë dhe dikush e konspiroi, por asnjëherë nuk u përjashtua mundësia e vrasjes për shkak të një konflikti pronësie.

Ditën e djeshme, pak para se të ekzekutohej viktima ka qenë duke komunikuar në telefon me bashkëshorten e tij. E shoqja ka thënë në polici se fjalët e fundit që ka dëgjuar nga bashkëshorti kanë qenë:”Çfarë bëni kështu more çuna?”. Më pas, është dëgjuar një breshëri automatiku, dhe telefonata është ndërprerë.  Pas kësaj, gruaja e 43-vjeçarit ka vrapuar për tek toka 100 metra larg shtëpisë ku Muho po punonte dhe e ka gjetur atë të pajetë. Prokuroria ka konfirmuar se Muho është qëlluar me një automatik model 56, nga një distancë e afërt. Në vendngjarje janë zhdukur gëzhojat. Grupi hetimor ka dyshime se armës automatike i është vendosur një rrobë për të mos lenë gëzhoja në vendin e krimit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?