10 aksidente rrugore janë regjistruar më pak përgjatë muajit tetor të këtij viti e krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. INSTAT bënë me dije se përgjatë këtij viti, në muajin tetor janë regjistruar 108 aksidente, në krahasim me 118 të tilla të regjistruara në tetor të vitit 2019.
Muaji tetor i këtij viti ka shënuar një rënie të lehtë të aksidenteve rrugore, nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë, konkretisht 8.5% aksidente më pak. Referuar të dhënave zyrtare të INSTAT, janë 108 aksidente në tetor, krahasuar me 118 të tilla në tetor të vitit 2019. Po ashtu, rënie ka edhe në dhjetë mujorin e vitit 2020, ku numërohen 1.011 aksidente rrugore nga 1.254 të ndodhura në dhjetë mujorin e vitit 2019, duke shënuar kështu një ulje me 19,4%. Në muajin Tetor 2020, numri i të aksidentuarve është 148 nga 143 që ishte një vit më parë, duke u rritur me 3,5%.
Numri i të aksidentuarve në dhjetëmujorin e vitit 2020, është 1.312 persona nga 1.713 persona, duke u ulur me 23,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në muajin Tetor 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 15 persona nga 25 të vdekur në Tetor 2019. Në dhjetë mujorin e vitit 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 153 persona nga 182 persona në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shkaku kryesor i aksidenteve edhe për muajin tetor vijojnë të jenë drejtuesit e mjeteve, ndërsa pjesa tjetër kanë qenë kalimtarët, të cilët lëvizin jo vetëm në rrugët urbane, por edhe në zona të tjera.
Aksidentet rrugore, në 85,2% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Në dhjetë mujorin e vitit 2020, aksidentet rrugore, në 14,1% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 21%, krahasuar me një vit më parë.