Ish-presidenti Hashim Thaçi me babanë e ndjerë Haxhi Thaçi

Kosova & Rajoni

Ndahet nga jeta babai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi! Rama: Baba iku krenar

16 Mars, 23:51| Përditesimi: 17 Mars, 00:27

  • Share

KOSOVË- Një lajm i trishtë vjen nga Kosova, ku bëhet me dije se pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, është ndarë nga jeta babai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Mediat e Kosovës raportojnë se Haxhi Thaxhi po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare, por nuk e fitoi dot betejën me sëmundjen e rëndë dhe ndërroi jetë mbrëmjen e sotme, 17 mars.

Lajmi i konfirmua nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili i ka shprehur  ngushëllime presidentit Thaçi, familjes Thaçi dhe mbarë kombit shqiptar.

"Me dhembje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të Presidentit Hashim Thaçi. Sot, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, nuk u shua vetëm një njeri, por një baba që i dha Kosovës një çlirimtar, një burrë që me përkushtimin dhe edukatën e tij ndihmoi në lindjen e një epoke të re për kombin tonë.  

Ngushëllimet më të sinqerta Presidentit Thaçi, familjes Thaçi dhe mbarë kombit shqiptar. Haxhi Thaçi ishte më shumë se një prind – ai ishte një shtyllë e fortë e vlerave atdhetare, një njeri i urtë dhe fisnik, i cili la pas një trashëgimi të pavdekshme në historinë tonë.  U prehtë në paqe", shkruan Krasniqi.

Një reagim të shkurtër ka pasur edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama i cili teksa ka ndarë një foto të ish-presidentit Thaçi me babanë e ndjerë shkruan "Baba iku krenar Hashim".

Vetëm 4 ditë më parë, më 13 mars, Gjykata Speciale në Hagë i dha leje ish-presidentit Thaçi dhe erdhi në Kosovë për të vizituar babanë e tij në gjendje të rënduar shëndetësore. Gjykata kishte refuzuar disa herë kërkesat e Thaçit për të vizituar babanë në spital, por më 13 mars u dha leja, ndërsa Thaçi u prit me thirrjet “UÇK, UÇK” dhe “O Hashim, o hero, krejt Kosovën këtu e ke”.

Pasi ka përfunduar vizitën te babai i tij, Hashim Thaçi është kthyer në Hagë, ku po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit bashkë me ish-eprorët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?