Ylli Pata: Lajmi i ardhur nga BE për 'Ballkanin e Hapur', që i dha fuqi politike Samitit të Tiranës

21 Dhjetor 2021, 12:21| Përditesimi: 21 Dhjetor 2021, 12:24

  • Share

Qëndrimi i qartë i Komisionerit Europian për Zgjerimin, Oliver Varheleyi, i cili është edhe njeriu përgjegjës në qeverinë e BE për rajonin, pro nismës së Ballkanit të Hapur, i ka vënë vulën polemikave të ekzagjeruara për ta politizuar këtë zhvillim.

Deklarata e ministrit të kabinetit Von der Leyen, se Bashkimi Europian mbështet pa kushte Ballkanin e Hapur, gjatë takimit ndërmjet presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në kuadër të nismës ‘Ballkani i Hapur’, ishte realisht një zhvillim më i qartë, edhe pse nuk është i ri.

“Mund të më përfshini si mbështetës të Ballkanit. Ne (BE) mendojmë që në bazë të rregullave e vlerave të BE, çdo bashkëpunim rajonal është i mirëpritur por dhe në të mirë të të dyja palëve, në të mirë të Ballkanit dhe Bashkimit Europian”, tha Komisioneri.

Varhelyi ftoi edhe tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës duke renditur arsyet e përfitimit prej saj.

“Më lini të përfitoj nga mundësia për t’i ftuar tri partnerët e tjerë që t’i kthehen këtij bashkëpunimi sepse është jo vetëm në të mirë të biznesit, është në të mirë të konsumatorëve, ofron shtim të punësimit, e po kështu mund të ndryshojë realitetet në terren. Nëse ka dicka që ju citoj, t’ju citoj juve zoti Rama, është se vetëm përmes bërjes konkrete të tregut të përbashkët rajonal, Ballkani mund të shtojë 1/3 e PBB-së ekzistuese.”, shtoi ai.

Komisioneri e vuri theksin te rëndësia që kjo nismë të shkojë përpara, në një kohë kur nismat e tjera nuk po ecin mirë.

“Për të qënë i ndershëm, kam qënë gjtihmonë i prirur shumë pozitivisht ndaj këtij propozimi. Së pari u quajt minishengen, më pas u përpoqëm brenda procesit të Berlinit dhe krijuam tregun e përbashkët rajonal por për fat të keq me disa zgjedhje në rajon, kjo nismë u la mënjanë. Ky është një përfundim që unë e kam nxjerrë që nga fillimi, që ju të vazhdoni ta nxisni këtë nismë sepse rajoni kërkon të jetë një i tërë,  sa i takon ekonomisë, shoqërisë dhe rajoni kërkon të jetë bashkë sic jemi ne në Bashkimin Europian. Ju kuptuat rëndësinë e integrimit rajonal dhe kjo është në gjendje të ndryshojë jetën e qytetarëve tuaj. Ky është mesazhi më i mirë që rajoni mund të përçojë, që jo vetëm është gati për bashkëpunim rajonal, por po e bën”, tha Varlehyi.

“Ballkani i hapur është vazhdim i “Procesit të Berlinit”, ka qenë lajmi i ditës në Samitin e Tiranës, i cili u tentua që të përdorej si një shkas për  devijime të rreme nacionaliste nga segmente politike në konflikt me Perëndimin, siç është Sali Berisha.

Nuk është hera e parë, realisht që zyrtarë të lartë të vendeve të BE-së dhe të SHBA-së, kanë përkrahur nismat ballkanike që promovojnë bashkëpunimin.

Madje, edhe vetë Komisioni i BE-së, pra qeveria e Bashkëpunimit Europian që në lindje të procesit të zgjerimit, ka nisur të njohurin program “cross-border” për bashkëpunimin kufitar.

Që më pas ka çuar në ndërtimin e pikave të përbashkëta kufitare, që janë në një linjë të hapësirës që ka marrëveshja e Shengenit në BE, pra lëvizja e lirë e kapitaleve, njerëzve, ideve, mallrave etj.

Logjika e Ballkanit të Hapur, nuk është asgjë tjetër veçse sjellja e ideve dhe strategjisë që BE ka me vendet që synon t’i bëjë pjesë të saj.

E ky natyrisht është një projekt politik, pasi që të hyjnë në një hapësirë të përbashkët politike, ekonomike, sociale, apo akademike e sportive, vendet nuk duhet të përplasen me njëri-tjetrin, port ë promovojnë bashkëpunimin.

Kjo politikë ka qenë në themel të krijimit të BE-së me paqen tashmë të famshme mes Francës dhe Gjermanisë.

Megjithatë, lajmi që solli Komisioneri Europian i Zgjerimit në Samitin e Tiranës, ishte realisht zhvillimi që e bëri këtë takim, mjaft të rëndësishëm politikisht, përveç aspektit utilitar e praktim me firmosjen e marrëveshjeve mes tre vendeve pjesëmarrëse.

Qëndrimi i Oliver Varheleyi, që natyrisht i përgjgijet linjës zyrtare të kabinetit Von der Leyen, nuk ka lënë asnjë shkas për intepretime, e jo më keqintepretime.

“Ne mendojmë që në bazë të rregullave dhe vlerave të BE, çdo bashkëpunim rajonal jo vetëm është i mirëpritur por është në të mirë të të dyja palëve që do të thotë është në të mirë të Ballkanit por edhe të BE. Më lini që të përfitoj nga mundësia për t’i ftuar tre  partnerët t’i kthehen këtij bashkëpunimi rajonal se jo vetëm shton mundësitë për bizneset, është në të mirë të konsumatorëve, por po kështu mund të ndryshojë realitetet në terren që janë shumë të zymta”, tha Varhelyi.

Ndërkaq, kjo nismë, pra minishengeni, apo katër liritë kryesore të BE-së janë mbështetur fort edhe nga SHBA, në të gjitha nivelet e saj, e jo vetëm nga administrate aktuale demokrate, por edhe ajo e shkuar republikane.

Marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Presidentit të atëhershëm Donald Trump me Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës, e ka fjalë për fjalë çështjen e minishengenit, ndërkohë që sot, zyrtari i lartë i DASH, Gabriel Escobar, e ka shpallur mbështetjen për Baallkanit të Hapur, gati çdo javë, ku prej 6 muajsh zhvillon takime intensive në të gjitha vendet Ballkanike.

Megjithatë, lajmi që dha sot Komisioneri Europian i Zgjerimit, në Samitin e Tiranës, i ka dhënë një vlerë politike edhe më të madhe kësaj mbledhje që e bën kryeqytetin shqiptar, si një qendër të rëndësishme të diskutimit e orientimit të politikave të përbashkëta europiane në rajonin e Ballkanit.

Nga ana tjetër, ky lajm ka një rëndësi të madhe edhe në lidhje me debatin apo kontestimit politik të nismës për llogari të politikës së brendshme.

Ballkani i Hapur, nga sot mund të kontestohet, nga kushdo actor politik, por nuk mund të fshihet me BE-në, Gjermaninë, apo “Procesin e Berlinit”.

Ideatorët e këtij kontestimi, thjesht duhet të prodhojnë argumentat për të, por që natyrisht janë jashtë apo kundër BE-së, pasi mundësi tjetër nuk duket se ka…/ Gazeta "Tema"

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?