Është hedhur sot në Nyon të Zvicrës shorti për fazën e 1/8 të Conference League, kompeticionit të krijuar rishtazi nga UEFA dhe që finalen e parë do ta luajë në Tiranë më 25 maj. Pjesmarrës në këtë short ka qenë edhe ish-futbollisti i kombëtares Altin Lala, i cili ishte përzgjedhur si ambasador i finales, së bashku me zyrtarët e UEFA-s ka tërhequr goglat që kanë përcaktuar edhe çiftet e kësaj faze, ku marrin pjesë skuadra të mëdha nga kampionatet elitë të Europës, si Roma, Leicester City, Marseille, Feyenoord, PSV etk.
Lala, në një prononcim të shkurtër përpara nisjes së shortit, u shpreh i lumtur që një finale europiane do të luhet në Tiranë, duke e konsideruar si një nga eventet më të madha të organizuara në vendin tone, ndërsa foli edhe për rëndësinë e kompeticionit dhe ekipet që e kanë impresionuar më shumë. “Është eventi më i madh i organizuar ndonjëherë në Shqipëri dhe jemi shumë të lumtur e mezi po presim që të zhvillohet ky event në Tiranë”.
Rëndësia e këtij kompeticioni? – Është i rëndësishëm për klubet e tjera që të kenë një shans për të fituar Conference League dhe mendoj se është një shans i drejtë për klubet e vogla.
Ekipet që më impresionojnë? – Mendoj se kemi ekipe të mëdha. Roma, Leicester, Marseille. Ndoshta njëra prej tyre do të shkojë në Tiranë. Kështu shpresoj.