Takimin e parë zyrtar dhe publik si Ministër Drejtësisë, Besford Lamallari e pati me kreun e Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani.
Lajmi u bë i ditur nga vetë ministri Lamallari, i cili sqaron se ndau me kreun e SPAK prioritetet e ministrisë së Drejtësisë si pjesë e Programit Qeverisës 2025-2029, në përputhje të plotë dhe me detyrimet e ndërmarra në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian.
“Shteti i së Drejtës është themeli i Shqipërisë Evropiane. Konsolidimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe vijimi i mbështetjes për Reformën në Drejtësi mbeten prioritet absolut i qeverisë shqiptare”,- shkruan Lamallari në postimin e tij.
Në një reagim për këtë takim, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, thotë se SPAK nuk duhet të ketë lidhje me prioritetet e qeverisë, pasi në fakt, prioritet duhet të jetë lufta ndaj korrupsioni qeveritar.
"Marrëdhënia e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme SPAK me segmente të Ekzekutivit, përfshirë Ministrin e Drejtësisë, duhet të udhëhiqet vetëm nga ligji. Marrëdhënia të tilla institucionale nuk duhet të ndodhin për nevoja propagande të Ekzekutivit, sepse SPAK nuk mund të jetë mekanizëm propagande i Qeverisë, por institucioni kyç që lufton korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar.
Askund, por askund nuk parashikohet se me drejtuesin e SPAK ndahen prioritetet e Qeverisë dhe aq më pak që ky i fundit dëgjon prioritetet e programit të Qeverisë. Ç'lidhje ka SPAK me prioritetet e Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, kur në fakt prioritet i saj duhet të jetë lufta ndaj korrupsionit qeveritar?
SPAK nuk është institucion nën varësinë e ekzekutivit dhe nuk duhet të sillet në publik si i tillë, sepse pavarësia e sistemit gjyqësor duhet edhe të duket që ekziston. Kjo pozë në zyrën e Ministrit të Drejtësisë dhe njoftimi i Ministrit të Drejtësisë që ka ndarë prioritetet e programit qeverisës, është një akt propagande i pandodhur kurrë më parë", shkroi Bardhi.
Komente
