Lamine Yamal është gati për të marrë një tjetër hap historik në karrierën e tij me Barcelonën, ndërsa klubi katalanas përgatitet për ta vendosur adoleshentin në qendër të projektit të së ardhmes.
Sipas mediave spanjolle Yamal do të marrë fanellën me numrin 10 që nga sezoni i ardhshëm, një numër që ka status legjendar në historinë e klubit dhe të vetë futbollit botëror.
Numri 10 është simboli i trashëgimisë që kanë lënë pas emra si Lionel Messi, Ronaldinho, Rivaldo dhe Maradona, ndërsa tani do t’i besohet një 17-vjeçari që po mahnit futbollin evropian me maturinë dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm.
Yamal do të mbushë 18 vjeç më 13 korrik dhe në atë ditë Barcelona pritet të aktivizojë klauzolën për zgjatjen zyrtare të kontratës së tij, për të cilën është arritur marrëveshje paraprake me agjentin Jorge Mendes. Marrëveshja e re mendohet të jetë deri në vitin 2030, ndërsa klauzola e lirimit do të jetë 1 miliard euro, duke e bërë atë një nga lojtarët më të shtrenjtë në botë.
Ansu Fati për momentin mban numrin 10, por raportimet thonë se ndryshimi nuk do të varet nga largimi i tij. Barcelona është e vendosur që Yamal të jetë fytyra e re e klubit dhe marrja e këtij numri është një tjetër sinjal i qartë se ai shihet si pasardhësi i ikonës Messi.
Në një klub ku simbolika ka peshë të madhe, vendimi për t’i dhënë Yamal numrin 10 përfaqëson aktin e radhës në fronëzimin e ‘mbretit’ të ri të “Camp Nou”, një futbollist që pritet të udhëheqë një epokë të re për katalanasit.
Fanella e re e Yamal
Komente
