Sociale

Lamtumira për Krypeshkopin Anastas, Mbikëqyrësi i Fronit, Joani: Hierark i madh, vepra e tij në rindërtimin e Kishës Ortodokse madhështore

30 Janar, 12:17| Përditesimi: 30 Janar, 14:27

  • Share

 

Në Katedralen Ngjallja e Krishtit po mbahet mesha e lamtumirës për Kryepeshkopin e Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Në fjalën e tij të mbajtur gjatë nderimit të Kryepshkopit Anastas, Mbikëqyrësi i Fronit Kryepeshkopal , Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, theksoi se vepra e Kryepshkopit Anastas është një testament i përjetshëm i dashurisë dhe dedikimit për Kishën dhe shoqërinë.

Ai theksoi se veprat e Kryepeshkopit Anastas janë një mision shpirtëror që ka ndikuar thellësisht në jetën e besimtarëve dhe të gjithë popullit shqiptar. Mitropoliti i Korçë, Joani tha se vepra e Kryepeshkopit Anastas në rindërtimin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri është madhështore dhe unike.

Fjala e përmotshme e Mbikëqyrësit të Fronit Kryepeshkopal, Mitropoliti i Korçës,  Hirësia e Tij, Joani

Të lumtur janë që tani ata të vdekur, që vdesin në Zotin. Po, thotë Fryma, që të prehen nga mundimet e tyre; edhe veprat e tyre i ndjekin pas, bashkë me ata (Zb. 14:13). Këto fjalë të Perëndisë na mësojnë se veprat tona nuk harrohen me mbarimin e jetës tokësore. Ato kryhen brenda një periudhe të kufizuar kohe, por fitojnë një dimension të përjetshëm, duke na ndjekur në jetën e përtejme. Ka momente kur këto fjalë të Perëndisë shfaqen më qartë dhe bëhen më të kuptueshme. Sot, ndodhemi përballë një momenti të tillë. Vepra e Kryepiskopit Anastas në rindërtimin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri është madhështore dhe unike.

Nën kujdesin dhe përpjekjet e tij u ndërtua dhe restaurua infrastruktura kishtare, u hapën kopshte, shkolla dhe institute profesionale, si dhe u mbështet arsimi publik. Kulmi i kontributit të tij  ishte themelimi i Kolegjit Universitar "Logos", institucioni i parë i arsimit të lartë orthodhoks në Shqipëri.

I shtyrë nga dashuria e tij për të gjithë njerëzit, pa dallim origjine apo bindjesh, ai nuk u kufizua vetëm në ndërtimin e objekteve kishtare, por e shtriu kujdesin ndaj mbarë shoqërisë, duke dhënë një dëshmi të gjallë se Kisha nuk ekziston vetëm për veten e saj, por për të gjithë, sepse dashuria nuk njeh kufij.

Veprimtaria e gjerë sociale dhe humanitare e Kishës, nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas, ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme. Janë mbështetur një sërë programesh sociale, përfshirë projekte për zhvillimin e zonave malore, përparimin e bujqësisë, ndërtimin e rrugëve dhe ujësjellësve, si dhe programe për kujdesin shëndetësor. Janë ndihmuar jetimore, spitale, institute për persona me aftësi të kufizuara, qendra rezidenciale për të moshuar, qendra për të burgosur, janë ofruar dreka për të varfrit etj.

E gjithë kjo veprimtari e gjerë ka kontribuuar ndjeshëm në përpjekjet për zhvillimin e Shqipërisë dhe ka pasur një ndikim të madh në shoqërinë dhe ekonominë e vendit. Me mijëra njerëz janë punësuar, duke mbështetur në këtë mënyrë mijëra familje, ndërsa dashuria dhe solidariteti janë shndërruar në themele të qëndrueshme për një shoqëri më të drejtë dhe më të bashkuar.

Mbi të gjitha, Kryepiskopi Anastas është përkushtuar me të gjitha energjitë e tij që kontributi më i madh i Kishës në shoqëri të jetë edukimi dhe formimi i njerëzve të drejtë, të përgjegjshëm dhe të ndershëm. Ai ka punuar pa u lodhur për të përhapur shpresë aty ku mbizotëron dëshpërimi, kurajë aty ku sundon frika, dritë aty ku mbizotëron errësira dhe dashuri aty ku ka konflikte.

Kjo është ana e dukshme dhe e prekshme e kësaj vepre madhështore, por dua të theksoj edhe një herë diçka që e kam përmendur më parë; një dimension tjetër të veprës së tij, ndoshta edhe më të rëndësishëm, për të cilin nuk është folur sa duhet. Kryepiskopi Anastas nuk u mjaftua vetëm me ndërtimin e mureve të Kishës dhe krijimin e infrastrukturës së saj fizike; përpjekja e tij për të dhënë një frymë të drejtë dhe të mirë brenda Kishës ka qenë gjithmonë një prioritet. Qëllimi i tij ka qenë të ndërtojë një Kishë ku Perëndia të adhurohet “në frymë dhe në të vërtetën” (Jn 4:23). Për Kryepiskopin Anastas, veprat ndërtimore nuk ishin një qëllim në vetvete, por një mjet për të realizuar misionin shpëtimtar të Kishës.

Ndërtesat janë ngritur për njerëzit dhe në shërbim të tyre, duke qenë mjete që i shërbejnë adhurimit dhe jetës shpirtërore të besimtarëve. Predikimi i tij, si në publik ashtu edhe në bisedat private, ka qenë gjithmonë i përqendruar te dashuria dhe respekti për çdo qenie njerëzore, duke përhapur një frymë pajtimi dhe faljeje brenda Kishës. Vendi ynë ka pasur dhe vazhdon të ketë nevojë për këtë frymë. Në fakt, e gjithë bota ka nevojë për këtë frymë, sepse vetëm mbi këtë themel hyjnor mund të

ndërtohen marrëdhënie të drejta ndërmjet njerëzve. Vetëm përmes saj  mund të ngrihet një shoqëri vërtet njerëzore.

Kryepiskopi Anastas, me kontributin e tij të jashtëzakonshëm në  fuqizimin e dialogut ndërmjet popujve të ndryshëm anembanë botës, me librat dhe artikujt që ofrojnë një mbështetje të thellë teologjike për këtë dialog, si dhe me përpjekjet e tij për respektimin e dinjitetit dhe lirisë së çdo individi, është kthyer në një pikë referimi të rëndësishme, jo vetëm në fushën e dialogut ndërfetar, por edhe në atë të mendimit njerëzor në tërësi. Fjalët e tij të njohura, se "vaji i fesë nuk duhet të përdoret nga asnjëra palë për të ndezur konfliktet, por për të shëruar plagët dhe për të qetësuar zemrat," janë bërë tashmë një lajtmotiv i fuqishëm kur flitet për rolin që feja duhet të luajë në botën e sotme konfliktuale.

Me shembullin e tij të gjallë, ai ka forcuar tek të gjithë ne besimin e palëkundur tek Perëndia. Sa herë që është përballur me vështirësi apo sfida të ndryshme, ai nuk është tërhequr asnjëherë. Me një besim të thellë tek Perëndia dhe i bindur se po kryen punën e Tij, ai ka qëndruar i fortë si shkëmb, por gjithmonë me dashuri dhe dhembshuri, duke mbrojtur Kishën dhe misionin e saj. Thënia e tij tashmë proverbiale, “Perëndia nuk do të na braktisë,” ka përhapur besim dhe shpresë te të gjithë besimtarët, duke i frymëzuar ata në çdo hap të rrugës shpirtërore.

Ai i dhuroi Kishës sonë gjithçka që kishte: pasurinë e tij të pazakontë shpirtërore dhe intelektuale, diturinë dhe urtësinë, mendimin e pjekur dhe të kthjellët, përkujdesjen plot dashuri të një bariu shpirtëror dhe përkushtimin e palëkundur të një të krishteri të ndërgjegjshëm për të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit. Ai na dhuroi të gjitha energjitë e tij fizike dhe emocionale, duke ofruar gjithë qenien e tij për ne. Me zemër të përulur dhe plot mirënjohje, dëshiroj të shpreh falënderimin tim të thellë për këtë dhuratë të madhe që Perëndia ka bërë për ne.

Sa më shumë kalon koha, aq më e qartë bëhet për të gjithë ne madhështia e veprës së Kryepiskopit Anastas. Shpesh habitem dhe mrekullohem, ashtu si shumë të tjerë, duke pyetur veten sesi ka arritur të realizojë një vepër kaq të madhe dhe në këto dimensione. Përgjigjja qëndron në disa elementë thelbësorë: një besim i palëkundur, një dashuri e pakufishme për Zotin dhe njerëzit, një talent i rrallë dhe një hir i madh nga Perëndia. Vetëm këto forca mund ta bëjnë një mrekulli të tillë të mundur. Duke nderuar veprën e këtij njeriu të madh, ne nderojmë veten tonë, Kishën tonë dhe vendin tonë. Veprat e tij, do ta ndjekin atë pas, drejt

Mbretërisë së përjetshme të Krishtit.

Sot, në këtë ditë të shenjtë të nderimit të Tre Hierarkëve, i japim përshëndetjen e fundit një hierarku të madh, një nxënësi besnik të tyre, të cilët frymëzuan mendimin, predikimin, jetën dhe veprën e tij. Ashtu si Tre Hierarkët kanë mbetur për shekuj shembuj dhe shtylla të besimit tonë orthodhoks, edhe jeta dhe vepra e Kryepiskopit Anastas, e frymëzuar prej tyre, do të vazhdojë të jetë një shembull i gjallë dhe një burim frymëzimi i pashtershëm, jo vetëm për ne sot, por edhe për brezat e ardhshëm.

Në këto ditë, zemrat tona janë të mbushura me pikëllim për Atin dhe Kryebariun tonë të dashur. Prania e tij na jepte gjithmonë siguri dhe tani e ndjejmë thellë mungesën e tij. Megjithatë, edhe pse jemi të trishtuar, e dimë se ai nuk na ka braktisur. Apostulli Pavli nuk na kërkon të mos pikëllohemi, sepse pikëllimi është një ndjenjë e natyrshme kur largohet një njeri i dashur. Por ai na fton që të mos pikëllohemi si ata që nuk kanë shpresë, sepse te Perëndinë nuk ka të vdekur. Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve (Math. 22:32).

Është e vërtetë që kemi humbur një Kryebari të rrallë, por kemi fituar një ndërmjetës të fuqishëm pranë Perëndisë, që do të lutet pa reshtur për ne dhe për Kishën tonë, të cilën e deshi aq shumë. Nëse jemi të pikëlluar, ne ende gjejmë ngushëllim – shkruan Shën Augustini – dobësia jonë na rëndon, por besimi na mban lart. Ne jemi të pikëlluar për gjendjen njerëzore, por shërimin tonë e gjejmë në premtimin hyjnor.

Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se ai ishte një pasardhës i denjë i  Apostujve dhe, gjatë gjithë jetës së tij, një predikues i zjarrtë i Kryqit dhe i Ngjalljes, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Ai e mbajti mbi supe Kryqin e Krishtit dhe kështu nisi rrugën e tij drejt Ngjalljes. Jeta e tij ishte një jetë e vërtetë, dhe jeta e vërtetë nuk mbaron me vdekjen, sepse ajo është një jetë e shenjtë dhe e pavdekshme. Prandaj, nuk mund të trishtohemi si ata që nuk kanë shpresë.

Të dashur vëllezër dhe motra, le të lutemi me zemër që Zoti ynë Jisu Krisht, i cili është Ngjallja dhe Jeta (Jn. 11:25), ta prehë shpirtin e Atit dhe Kryebariut tonë të dashur, Kryepiskopit të ndjerë Anastas, në tendat e të drejtëve, ku nuk ka dhembje, as pikëllim, as psherëtimë, por jetë të pasosur dhe të vërtetë.

Le të jetojmë me frymëzimin e tij dhe ta kujtojmë me nderim dhe dashuri përgjithmonë.

I përjetshëm dhe i bekuar qoftë kujtimi i tij. Amin


Lajmi kryesor:

Lamtumira për kryepeshkopin/ Rama: Erdhi si prift nga Greqia, iku si Anastasi i Shqipërisë! Mitsotakis: Diplomati i dashurisë, urë miqësie mes 2 popujve


SI.E./S.G/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?