Lamtumirë kryepoetit të këngës, Jorgo Papingji! Edmond Zhulali e Flamur Shehu: Kjo ikje është dhimbje

22 Mars, 16:49| Përditesimi: 22 Mars, 18:11

  • Share

Jorgo Papingji, “Mjeshtri i madh” që diti t’i flasë shpirtit përmes vargjeve u shua Ditën e Poezisë në moshën 81-vjeçare.

Më pak dritë për të parë ç’ka ndodh në këtë vend, do të thoshin poetët me gjuhën e tyre, për një ndër krye autorët e poezisë së këngës shqipe, që i pa të botuara krijimet e tij të para që në moshën 10-vjeçare në gazetat e shkollës. Ndonëse studimet i përfundoi për fizikë, pasionin e kultivoi çdo ditë, edhe gjatë punës si mësues për 44 vjet me radhë.

Homazhet për lamtumirën e fundit nisën këtë të premte pranë Medresesë.  Kolegë, miq e familjarë e përcjellin me lot në sy, poetin që e deshi kaq fort njeriun.

Dhimbja është e madhe për bashkëshorten Tatjanën dhe dy fëmijët, të cilëve u mësoi që dashuria nuk njeh “pranga” veç flatra.

Mbi 4000 poezi, 17 herë fituese të Festivalit të Këngës, 4 çmime të para dhe pjesëmarrës në Eurosong me “Zemërimi i një nate”. Ndarja është veç fizike. Poeti vlonjat, që u shkroi edhe fëmijëve me mbi 500 tekste, e “zmbraps vdekjen tutje” dhe e gjejmë në kujtime e krijimtari.

“Vetëm një fjalë”, “S’jam tribu”, “E doni dashurinë” çdo tekst i Papingjit gjeti zërin e tij, rrugës për në zemrat e artëshësve shqiptarë. Shkroi dhe për këngën popullore, për dibranët, pleqtë e Kavajës duke pasur po ashtu sukses.

Për publikun ai ishte kryemjeshtri i fjalës së vargëzuar, ndonëse institucionet qenë më të ngadalta për t’ia njohur meritat. Në ndarje janë të gjithë bashkë, i dha lamtumirën edhe politika. Kuvendi mbajti një minutë heshtje.

Pas homazheve pranë Radio Televizionit Shqiptar, Papingji përcillet këtë të shtunë për në banesën e fundit.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?