Aktori i njohur Xhevdet Ferri, një ndër artistët që krijojë figura artistike edhe personazhe të arrirë në kinematografinë shqiptare, është përcjellë nga miqtë, kolegët edhe familjarët, për në banesën e fundit.
Ndonëse, pas një sëmundje të rëndë, jeta e tij u ndërpre në moshën 59-vjeçare, bashkëpunëtorët e një jete në shesh-xhirim, kujtojnë rolet e tij, që nga roli i parë, si Marko tek “Vëllezër dhe shokë”, deri tek ai i fundit, si Asllani tek “Delegacioni”.
“Me Xhevdetin kam punuar qysh në vitet ‘80, tek filmi “Vëllezër edhe shokë” i Dhimitër Anagnostit, ka qenë roli i tij i parë serioz edhe imi. Kemi pas skena të tëra bashkë. Të dy e dinim, se duhet që të ishim vëllezër të dy, që të luanim këtë rol (qan). Kanë qenë skena të vështira edhe kërkonin një impenjim të madh. Në një farë mënyre t’i ndjen se me ikjen e një bashkëpunëtori të ikën një pjesë e vlefshme”, shprehet Eduart Makri, aktor edhe regjisor.
“Ka krijuar një gamë personazhesh, janë rreth 30 filma, por ka dhënë kontribute edhe në fusha të tjera. Roli i fundit tek “Delegacioni” ka qenë një nga karakteret më të bukur të tij, shumë i ndryshëm nga të gjithë filmat e tjerë, që kemi luajtur. Nëpërmjet një shtrati realist të lojës, ai shkonte me finesë në portrete të ndryshme karakteresh. Këtë mund të bëjnë vetëm aktorët profesionistë”, shprehet Ndriçim Xhepa.
Vladimir Prifti, teksa kujton tre bashkëpunimet e tij me aktorin, e vlerëson atë, duke e cilësuar një aktor të klasit të parë.
“E kam pas aktor tek tre filma, tek “Era e ngrohtë e thellësive” qëkur ishte i ri, “Edhe vjen një ditë”, edhe tek “Dasma e Sakos” e xhiruar në 97-n në Gjirokastër. Kujtimet e mia në radhë të parë lidhen me faktin, që Xhevdeti u përplasë me aktorë shumë të fuqishëm, si partnerë, mes tyre ishte Kadri Roshi, me Viktor Zhustin, edhe me Ndriçim Xhepën. Në të trija ka qenë i veçantë, e kërkonte figurën. Procesi i tij ishte proces pak racional, por kurrë ndonjëherë i papërmbushur me një gjendje shpirtërore apo me procese të brendshme, që konsolidojnë gjithmonë aktorin”, tregon Prifti.
Ish-studenti i tij, Gazmend Gjoka, i cili është rrit me artin e tij, e vlerëson jo vetëm, si pedagog.
“Profesor Xhoda, edhe pse për mua kaluan vite si koleg, do të mbetet i tillë për mua. Sepse, në kohën që isha student i tij, ai ishte kthesa më e madhe sa i përket anës profesionale për mua. Ishte një pedagog, që të drejtonte me ëmbëlsi, edhe me shumë argumente drejt një pune profesionale. E kam njohur si mentorin tim, por kam parë tek ai një njeri me vizion, dashamirës dhe mendoj se nuk u ndikua as nga karrigia, sepse nuk e pas si një post për të, por një vend krijimtarie edhe kontributi profesional edhe në fushën që ai ishte”, shprehet aktori Gazmend Gjoka.
Të pashlyeshme janë kujtimet për Xhodën, ashtu sikundër kolegët artistët e thërrisnin në jetë, edhe si bashkëshort i aktores, Rozeta Ferri, prind i një vajze edhe së fundmi, gjysh.
“Kemi bashkëpunuar në dy filma bashkë, në film ka qenë edhe Rozeta, bashkëshortja e tij, me të cilën u njohën që në shkollën e arteve, edhe kanë qenë bashkë deri në momentet e tij të fundit. Kanë qenë për t’u pasur zili, aq të mrekullueshëm kanë qenë në këtë marrëdhënie”, rrëfen aktorja Bulku.
“E vlerësoj shumë, edhe besoj që duhet thënë, se ai ishte një model në familje. Familja ishte një nga temat e tij të preferuara, edhe pastaj ka qenë një artist, një drejtues i Qendrës Kombëtare të Kimenatografisë, i teatrit, një deputet në vitin 1997, nuk e di se çfarë mund të kishte më shumë për të qenë i kompletuar një njeri, sesa Xhevdet Ferri. Mund të ketë qenë beteja e fundit që ka humbur. Në vitet ‘80 ka qenë një simbol i kinemasë shqiptare, ka qenë simbol i personazhit pozitiv, i njeriut që luftonte brenda një kuadrati të caktuar, siç ishte kinemaja për të mirën e shoqërisë”, shprehet Bensik Bisha.
Dy herë, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, deputet në kohë të vështira për vendin, pedagog edhe shef departamenti në Fakultetin e Artit Dramatik, por edhe shumë poste të tjera drejtuese, nuk e tundën asnjëherë, Xhevdet Ferrin nga të qenit njeri me vlera.
“Ditët e fundit u dorëzua. Kemi humb një njeri të kulturuar, një pedagog të shkëlqyer, që pa dyshimin më të vogël do të jepte mësim në çdo shkollë teatri, kudo në botë. Ai ishte shumë kërkues, sepse donte që të jepte maksimumin e tij, ai arriti që të bëjë një ligj për kinematografinë, ai e ka iniciuar. Unë e kam pasur dekan fakulteti shumë herët, sipërmarrjet e tij ishin për ta hapte fakultetin, arriti që të çojë disa kolegë tanët në Londër për t’u specializuar. Ditë e keqe, shumë e keqe, për të gjithë ne”, përfundon aktori edhe pedagogu Petrit Malaj.
Mes 40 roleve që ka interpretuar në kinematografi edhe teatër, Xhevdet Ferri do të kujtohet për rolet e tij të skalitur tek, Petrit tek “Fushë e blerë, fushë e kuqe”, “Arbeni” tek erë e ngrohtë e thellësive, Agroni tek “Hijet që mbeten pas, Gori tek “Dhe vjen një ditë”, Sako tek “Dasma e Sakos” apo “Trimi tek Përrallë nga e kaluara”.