Një platformë ku do të mund të konsultohet çdo informacion për ligjbërjen në vend. E-legjislacioni, një faqe e dedikuar ku qytetarë, shoqëria civile, ekspertët apo edhe media do të kenë mundësinë të njihen me çdo hap në bërjen apo ndryshimin e një ligji, çka ndodhur me të ndër vite, kush e propozoi e kush e votoi, është prezantuar këtë të hënë nga Kuvendi.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali e konsideroi këtë si një moment për të forcuar demokracinë dhe transparencën.
"Po hedhim një hap të ri për të afruar qytetarët me Kuvendin, për të ndërtuar ura komunikimi ndërmjet institucioneve dhe për të vendosur teknologjinë në funksion të demokracisë. Për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë do të kemi akte ligjore të konsoliduara, që përmbajnë të gjitha ndryshimet ndër vite, në një version të vetëm e me qasje për të gjithë. Kjo do të mbështetet nga një proces i avancuar kërkimor, përmes metadatave të shënjuara sipas standardeve më të sofistikuara ndërkombëtare për hartimin e dokumenteve ligjore.", tha Spiropali.
Portali do të mundësojë një ndërlidhje institucionale ndërmjet Qeverisë, Kuvendit, Presidencës dhe qendrës së publikimit të Fletoreve zyrtare.
“Adoptimi i standardeve teknike që e vendosin Shqipërinë përkrah parlamenteve më të avancuara të Evropës. Digjitalizimi i arkivës parlamentare…duke u krijuar mundësi qytetarëve, grupeve të interesit, vëzhguesve të jetës parlamentare, medias dhe studiuesve të ndjekin historikun e plotë të hartimit të një akti ligjor, që nga propozimi i tij, diskutimet, amendimet, deri në formën përfundimtare, e cila votohet në Kuvend”, shtoi ajo.
I pranishëm në ceremoninë e prezantimit të portalit ishte edhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, për të cilin E-legjislacioni është një mundësi për të rritur besimin e publikut tek institucionet.
“Besimi i qytetarëve do të jetë më i fortë te institucionet. Kuvendi duhet të ketë të gjithë burimet e duhura. Kjo është kyçe për të siguruar pavarësinë e këtij institucioni dhe për të kërkuar llogari nga parlamenti që Kuvendi të luajë rolin e vet kyç gjatë negociatave. Edhe ne do të luajmë rolin tonë dhe për këtë kam kënaqësinë që të kemi një projekt për të ndihmuar Kuvendin që do të jetë “BE për Demokracinë”. Ne kemi arritur tashmë në një moment kyc pasi Shqipëria këtë vit besohet se do të hapë të gjithë grupkapitujt e negociatave, një mundësi që Shqipëria të modernizojë institucionet e veta dhe të fuqizojë demokracinë.", tha Gonzato.
Platforma E-legjislacioni është ndërtuar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, dhe është financuar nga Qeveria e Zvicrës.
Komente

Besimi nuk rritet pse thotë Gonxato
Përgjigju