Kronikë

Landfilli i Sharrës plot, s’ka më vend për plehrat! Koncesionari kërkon hapësirë: 34 mijë metra katrorë shtesë për mbeturinat e 5 bashkive (PAMJET ME DRON)

24 Prill, 17:14| Përditesimi: 24 Prill, 17:21

  • Share

Landfilli i Sharrës, apo inceneratori i Tiranës, ka arritur kapacitetet maksimale për mbajtjen e mbeturinave të kryeqytetit. Për këtë arsye, kompania koncensionare e cila prej kohësh është në administrim të shtetit, i është drejtuar autoriteteve me një kërkesë për zgjerimin e kapaciteteve.

Landfilli i Sharrës, në të cilin groposin mbetjet urbane 5 bashki, përfshirë atë të Tiranës si më e madhja në territor dhe sasi, është në prag të plotësimit të kapaciteteve maksimale. Shumë shpejt, në të njëjtën hapësirë nuk do të mund të shtohen më kamion mbeturinash, duke u kthyer në një rrezik për një katastrofë të mundshme mjedisore. Që e gjithë situata të marrë zgjidhje, prej 2 vitesh autoritetet kanë miratuar lejen e ndërtimit të një landfilli krejtësisht të ri.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se parcela me lejen e dhënë është në afërsi të të vjetrit më sipërfaqe sa dyfishi i asaj aktuale. Megjithatë, procedurat për bërjen gati të kësaj sipërfaqe akoma nuk janë mbyllur. Pas vënies në sekuestro, prej më shumë se një viti e gjysmë, kompania koncensionare “Integrated Energy B.V. SPV”, administrohet nga shteti. Ajo i është drejtuar disa ministrive, përfshirë atë të Infrastrukturës, por dhe të Mjedisit për një tjetër leje, kësaj here mjedisore, e cila pritet të përmbyllet në javët në vazhdim.

Sipërfaqja aktuale që është në limitet e mbushjes është rreth 18 mijë metra katror, ndërsa me miratimin e lejes mjedisore të parcelës së re shtohen edhe mbi 34 mijë metra katror, duke i dhënë zgjidhje një situatë ngërçi. Aktualisht, përmes pamjeve me dronë të filmuara nga Report Tv dallohet gjendja e tejmbushur me mbetje urbane. Në landfill vijojnë që kamionë nga 5 bashki të sjellin mbeturina përgjatë gjithë kohës.

Kontrata e koncesionit për inceneratorin e Tiranës u miratua në dhjetor 2016 për kompaninë “Integrated Energy B.V. SPV”. Ajo përfshinte ndërtimin e inceneratorit dhe menaxhimin e landfillit të Sharrës për një periudhë 30-vjeçare. SPAK nisi hetimet mbi dyshimet e abuzimit me miliona euro në vitin 2021, që u intensifikuan më vonë, deri në arrestimin e zyrtarëve të lartë. Më 16 prill të këtij viti Gjykata e Posaçme dha vendimin me një total prej 15.6 vite burg për 7 të pandehur për shpërdorim detyre, mes të cilëve ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, me 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Po aq u dënuan edhe 4 ish-anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit, Bledar Karoli, Taulant Tushe, Namik Simixhiu dhe Fatjon Murataj. Drejtoresha juridike, Valbona Ballgjini me 1 vit e 4 muaj burg dhe ish-anëtarja e komisionit, Sidita Kopliku u dënua me 1 vit. I vetmi i pafajshëm u shpall ish-punonjës në QKB, Jetmir Llapaj.

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni tek strategjia e SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore?