Politikë

Lapaj denoncon: Anëtarë të krimit të organizuar në Durrës kërcënuan me armë kandidaten tonë Valbona Myhedin! Policia: Shoqëruam 45-vjeçarin, me probleme të shëndetit mendor

5 Maj, 20:17| Përditesimi: 5 Maj, 22:52

  • Share

Kreu i “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka denoncuar sot kërcënimin e kandidates së këtij koalicioni për zgjedhjet e 11 majit, në qarkun e Durrësit, Valbona Myhedin. 

Sipas pretendimit të Lapajt, personi që ai ka publikuar edhe me një video në llogarinë personale të rrjetit social Facebook, është i dyshuari i aktit. Ai shprehet se personi në fjalë “i ka kërcënuar dhe treguar armën në brez”. 

Lapaj shton se do njoftohet edhe Ambasada Amerikane në Tiranë dhe kërkoi reagimin e Policisë. 

Policia e Durrësit reagoi në mbrëmje dhe njoftoi se ka shoqëruar 45-vjeçarin A.B., që dyshohet se ka kërcënuar kandidaten e ‘Nisma Shqipëria Bëhet’. Uniformat blu bënë të ditur se gjatë momentit të kërcënimit, ai ka mbajtur një pistoletë lodër, e cila është marrë si provë materiale.

Gjithashtu në njoftimin e policisë bëhet me dije se 45-vjeçari ka probleme të shëndetit mendor dhe është i regjistruar dhe i evidentuar nga shërbimi psikiatrik. Prokuroria po vijon veprimet procedurale në ngarkim të tij.

“Pak minuta më parë, anëtarë të krimit të organizuar në Durrës kanë kërcënuar me armë kandidaten tonë Valbona Myhedin dhe aktivistët që e shoqëronin, teksa ajo zhvillonte takime me qytetarët në lagjen nr. 8, pranë shkollës “Eftali Koçi”. Valbona Myhedin, shtetase amerikane, është përballur me një akt burracak frikësimi, që nuk do të kalojë nën heshtje”, shprehet Lapaj.

Më tej ai kërkon edhe reagimin e uniformave blu, por nuk ka informacione zyrtare për denoncim në Komisariat.

“I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të veprojë menjëherë, ndërsa do vëmë në dijeni Ambasadën Amerikane.
Ai që i tregoi armën dy grave, do përgjigjet para ligjit! Rrugëtimi ynë nuk ndalet! 11 maji është afër!”, shprehet Lapaj më tej, duke thënë se personi në video është autori i dyshuar.

Ora 22:32
Shoqërohet 45-vjeçari në Durrës, kërcënoi me pistoletë lodër kandidaten e ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, policia: Vuan nga probleme të shëndetit mendor

1746477306_WhatsAppImage20250505at10.21.46PM.jpeg

Policia e Durrësit ka shoqëruar pasditen e sotme 45-vjeçarin A.B., pasi ka kërcënuar kandidaten e ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, Valbona Myhedinin, e cila rezulton të jetë edhe shtetase amerikane.

Uniformat blu të policisë bëjnë të ditur se 45-vjeçari, gjatë momentit të kërcënimit, ka mbajtur një pistoletë lodër, e cila është marrë nga policia.

Në njoftimin e policisë bëhet me dije se 45-vjeçari ka probleme të shëndetit mendor dhe është i regjistruar dhe i evidentuar nga shërbimi psikiatrik.
Prokuroria po vijon veprimet procedurale në ngarkim të tij.

Njoftimi i policisë
Në lidhje me një deklaratë të bërë publike në rrjetet sociale nga shtetasi A.L., drejtues i subjektit politik “Shqipëria Bëhet”, se një person i armatosur në Durrës ka kërcënuar me armë kandidaten për deputete të këtij subjekti, znj. V.M., dhe aktivistët që e shoqëronin, teksa ajo zhvillonte takime me qytetarët në lagjen nr. 8, sqarojmë se:

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, sapo janë njohur me denoncimin publik të bërë nga z. A.L., menjëherë kanë nisur punën për verifikimin e rastit.

Shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve në terren, kanë bërë të mundur identifikimin e personit dhe kanë vijuar kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Ndërkohë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës është paraqitur për të bërë kallëzim kandidatja për deputete, znj. V.M.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe kontrolleve intensive në terren, rreth orës 21:15, shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Durrës të shtetasit A.B., 45 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një pistoletë plastike (lodër), të cilën 45-vjeçari e mbante në brez dhe dyshohet se ka ngritur xhupin duke ia treguar shtetases V.M. për ta kërcënuar.

Nga verifikimet e kryera rezulton se 45-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i regjistruar dhe i evidentuar nga shërbimi psikiatrik.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet procedurale në ngarkim të tij.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës siguron qytetarët dhe subjektet politike se shërbimet e Policisë janë tërësisht të angazhuara për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit zgjedhor, të baraslarguara nga subjektet politike.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet, a mendoni se partitë e reja do të marrin deputetë në Kuvend?