Nga Berati, gjatë një takimi me qytetarët në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryetari i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka folur për pensionet.
Në fjalën e tij, Lapaj rikujtoi premtimin e forcës që ai përfaqëson për rritjen e pensioneve në minimum 200 euro. Lapaj akuzoi qeverinë se u përpoq ta zhbëjë këtë nismë përmes presioneve dhe propagandës.
“Kur thamë se nuk do ketë pension nën 200 euro, patronazhistët e Ramës u hodhën menjëherë duke thënë se s’ka para. Por për qylaxhinjtë e pushtetit paska. Pastaj kryeministri filloi ta marrë me ironi, fliste për qilima fluturues. Dhe kur pa se nuk i funksionoi, e tha vetë se do ta bëjë pensionin 200 euro,” tha Lapaj.
Lapaj tha se koalicioni i tyre mund ta sjellë ndryshimin duke sjellë garën në sistem.
'Është fakt që është vendi i dytë për sasinë e ujit në Europë, por është fakt se është vendi me i pa furnizuar në Europë. Është fakt se janë rrogat dhe pensionet më të ulëta në Europë, ka dy dete, përrenj e lumenj, ka miniera, naftë, toka bujqësore, hekur nikel, resurse të tjera, po të menaxhohen si duhet do të mundësohen transformime të mëdha. Ky është një vend dhe kjo është një republikë që lëngon mes të mirave dhe ne mund ta bëjmë ndryshimin duke e sjellë garën në sistem dhe duke e çarë atë që sot e kanë marrë peng bandat përmes politikës', tha ai.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos pranojnë të nënshtrohen ndaj arrogancës dhe të votojnë për ndryshimin.
“Jam krenar që pa u bërë ende zgjedhjet, ne kemi arritur një fitore: pensioni minimal 200 euro për prindërit dhe gjyshërit tanë,” u shpreh ai.
Komente
